Sekretari për Anëtarësi dhe Financa i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, i ka quajtur komunikime të kryeministrit Kurti ato të koordinatores së Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali, me ish-Kryeshefin e KEK-ut Nagip Krasniqin, të cilat i publikoi Nacionale.
Nëpërmjet një reagimi në Facebook, Gjoshi ka thënë se “Albin Kurti është përgjegjësi kryesor” për “punët e pista të të cilit i drejton Dejona Mihali”.
Ai shtoi se vend të Bashkimit Kombëtar, Albin Kurti “e solli bashkimin me mafian serbe të energjisë.”
Reagimi i plotë:
Kur shkruan Dejona Mihali, në fakt po shkruan Albin Kurti – Kryeministri i Republikës së Kosovës.
Albin Kurti është përgjegjësi kryesor, punët e pista të të cilit i drejton Dejona Mihali, që nuk ka kaluar asnjë verifikim të institucioneve të sigurisë dhe që askush nuk e votoi që ajo të bëjë çka të dojë në Kosovë e me Kosovën.
Në vend të Bashkimit Kombëtar, Albin Kurti e solli bashkimin me mafian serbe të energjisë.
Prandaj Albin Kurti bërtet në Kuvendin e Kosovës duke sulmuar prokurorët. Ai ka për qëllim ta kap Prokurorinë që i lirshëm të bëjë biznes me mafian serbe të energjisë.