Autoriteti i Konkurrencës i Republikës së Kosovës ka njoftuar se ndërmarrjes MTS d.o.o, që është degë e Telekomit të Serbisë, dega në Kosovë, ia ka shqiptuar gjobën prej 1 milion, 563 mijë e 959.29 euro, duke u bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.
Në arsyetimin e kësaj gjobe AKRK-ja ka thënë se MTS d.o.o. ka shkelur dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, duke mos parashtruar kërkesën për njoftimin e detyruar për përqendrim për blerjen e 100 për qind të aksioneve të ndërmarrjeve: VGN NET d.o.o, LIKA d.o.o, PP. PRKDS-IMPULS në emër të I. R. – B.I. dhe Herc International.
“Autoriteti i Konkurrencës së Republikës së Kosovës njofton opinionin se duke u bazuar në legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës, më saktësisht në bazë të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës ka marrë vendim që Ndërmarrjes MTS d.o.o Dega në Kosovë t’i shqiptohet masa e sanksionit administrativ-gjoba në shumë prej 1,563,959.26 (një milion e pesëqind e gjashtëdhjetë e tre mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e nëntë euro e njëzetë e gjashtë cent). AKRK njofton se Ndërmarrja MTS d.o.o ka shkelur dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, duke mos parashtruar kërkesën për njoftimin e detyruar për përqendrim për blerjen e 100% të aksioneve të ndërmarrjeve: VGN NET d.o.o, LIKA d.o.o, PP. PRKDS-IMPULS në emër të I. R. – B.I. dhe Herc International”, thuhet në vendimin.
Sipas vendimit paratë e gjobës duhet të derdhen në llogarinë bankare të buxhetit të Kosovës./