Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini ka thënë se mosprezantimi i draftit të Asociacionit nga Qeveria mund të i kushtojë Kosovës tani.
Ai në emisionin “Info Nata” në Tëvë 1 ka deklaruar se drafti që është tani është shumë vështirë të negociohet në të, pasi sipas tij nëse ndodh një gjë e tillë bëhet nga të dyja palët.
“Me vet faktin që Qeveria jonë ka dështu me prodhu një draft sipas vizionit të vet të një Asociacioni, ka ardhur një draft. Ky draft që ka ardh është shumë zor me u negocu, fatkeqësisht sepse kur negociohet nuk e bënë vetëm njëra palë…E dimë që Asociacionit është obligim i joni kushtetues dhe ligjor. Ne e kemi mbështetur edhe Marrëveshjen e Brukselit dhe atë të Ohrit, e kemi mbështetur edhe Qeverisë edhe si parti, sepse e dimë që duhet më bë, por dështimi i mosprezentimit të drafti prej Kosovës mundet më na kushtu tash”, ka deklaruar ai.
Gjini tha se nëse Qeveria e Kosovës do të propozonte draftin e vet do të kishim një dokument më të mirë.
“Draftin të cilin e kemi marrë edhe zyrtarisht prej përfaqësuesve të BE-së është ai draft. Ai ka dal edhe më herët, Burim Ramadani e ka publiku, është i njëjti draft. Unë e pamundur në kohën e sotme me mbajte një dokumente kaq të rëndësishëm të fshehur në një kohë të gjatë…Sikurse ta kish prodhu Qeveria e Kosovës draftin para një viti, ka pas mundësi me prodhu ose para 6 muajve, sikurse ta kish diskutu me spektrin politik, sipas të gjitha gjasave kishim me pas një dokument më të mirë”, ka deklaruar ai.
Ndryshe, emisarët evropianë dhe ata amerikanë në fund të muajit tetor kishin vizituar Kosovën, të cilët kishin sjellë edhe një draftstatut për Asociacionin.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte deklaruar se ky draft është më i avancuar se i ai vitit 2013 dhe 2015.
Ndërsa, partitë opozitare kanë pranuar publikisht se e kanë pranuar draftin e statutit të Asociacionit nga Bashkimi Evropian.