Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Albin Kurti, i cili tha se “këta nuk po e duan shtetin e taksapaguesve, por Kosovën ‘Devollistan’ të pronarëve të mëdhenj”.
Në Debat Plus, Gjini e akuzoi Kurtin për mashtrim publik, duke thënë se ai po përpiqet të “qesë huti te njerëzit”, ndërkohë që vetë fshihet pas aferave të mëdha financiare.
“Kurti po flet për Devollistanin, por nuk po guxon të flasë për NOA-stanin. Aty ka vetëm dy njerëz, pa asnjë punëtor, pa dhënë rroga… A iu vjen marre?”, tha Gjini.
Ai përmendi si shembull kompaninë Devolli në Gjakovë, duke thënë se ajo ka punësuar mbi 2,300 njerëz dhe ka eksportuar mallra në vlerë prej 200 milionë eurosh në vit, ndërkohë që pjesa dërrmuese e këtij qarkullimi ka mbetur në Kosovë përmes pagave, taksave dhe shpenzimeve vendore.
“80% e atyre 200 milionëve kanë mbetur në Kosovë….Ndërsa për kompaninë NOA nuk thotë asnjë fjalë. Pse? Sepse është vetë prapa saj,” u shpreh ai.
“Unë po i them Kurti edhe krejt VV-së a iu vjen marre, a keni pikën e marrës me pas një kompani që qarkullon 400 milionë për 6 muaj parë të thata pa punësuar njerëz, pa bërë asgjë vetëm me një kompjuter duke shit e duke ble energji, energji tonën të popullit të KEK-ut jo të KEDS-it. Me fitu qindra miliona në vjet e mos me ia dëgju zëri”, deklaroi tutje ai.
Sipas Gjinit, nëse pas kompanisë NOA do të qëndronte dikush tjetër, Kurti “do të nxirrte zjarr nga goja”.
Ai shtoi se përmes tij është krijuar një “stan” në Kosovë, i bazuar në tenderë publikë, rezerva shtetërore dhe energji të blerë e shitur me kompjuterë.
“Nuk flet për të se është vetë mbrapa, ky është duke ndërtuar stan në Kosovë, me rezerva shtetërore, me energji me tendera burimore”, deklaroi Gjini.