Forma e mirë e Amir Rrahmanit këtë sezon me Napolin ka bërë që shumë ekipe të shfaqin interesim për shërbimet e mbrojtësit kosovar.
Sipas gazetarit Giovanni Scotto, interesim të madh për transferimin e Rrahmanit ka shprehur Atletico Madrid, që po shqyrton opsionet për të përforcuar mbrojtjen në afatin kalimtar të janarit.
Një kalim i mundshëm i Rrahmanit në La Liga tek klubi nga kryeqyteti spanjoll do të ishte një hap i madh në karrierën e tij.
Besohet se ka qenë vet trajneri Diego Simeone ai i cili personalisht i ka kërkuar drejtuesve të “Los Colchoneros” që ta transferojnë Rrahmanin, pasi ai me paraqitjen e tij ndaj Real Madridit në Ligën e Kampionëve i ka lënë përshtypje të madhe.
Sidoqoftë, është e vështirë që Napoli ta lejojë largimin e Rrahmanit, sidomos duke marrë parasysh që ata tashmë veçse po eksploronin tregun në kërkim të mbrojtësve të rinj.
Rrahmani ka kontratë me Napolin deri në qershor të vitit 2027 dhe do të duhej një ofertë e majme që klubi italian të konsideronte shitjen e tij.
Kujtojmë që Rrahmani ishte bërë pjesë e Napolit në vitin 2020, pasi paraprakisht kishte veshur fanellën e Hellas Veronës në sezonin 2019/2020.