Jules Kounde është rikthyer sërish në qendër të spekulimeve për një transferim të mundshëm te Liverpooli, këtë herë me një shifër të raportuar prej 80 milionë eurosh, sipas Mundo Deportivo.
Mbrojtësi 27-vjeçar, i cili ka kontratë me Barcelonën deri në vitin 2030, ka qenë vazhdimisht pjesë e thashethemeve në mediat angleze që nga transferimi i tij nga Sevilla në vitin 2022.
Lidhjet me Liverpoolin janë përmendur edhe në vitet 2023, 2024 dhe 2025, por asnjëherë me një shumë kaq të lartë sa ajo që raportohet tani.
Sipas raportimeve, “Të Kuqtë” janë në kërkim të një mbrojtësi për të zëvendësuar Ibrahima Konate dhe ndoshta Virgil Van Dijk, dhe janë të gatshëm të paguajnë 80 milionë euro për reprezentuesin francez.
Kounde, megjithëse qendërmbrojtës natyral, është konsoliduar si mbrojtës i djathtë nën drejtimin e Barcelonës.
Ai mbetet një lojtar kyç për trajnerin Hansi Flick, ndërsa Barcelona e transferoi për 50 milionë euro plus 10 milionë në bonuse.
Aktualisht, vlera e tij në Transfermarkt llogaritet rreth 65 milionë euro, por klubi katalanas do të konsideronte një shitje vetëm për një shumë afër 80 milionë eurove.
Kujtojmë se klauzola e tij e lirimit ka qenë e vendosur në 1 miliard euro.
Për momentin nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga klubet, por interesimi i Liverpoolit duket se po rikthehet fuqishëm në prag të afatit kalimtar veror.







