Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar për gjetjen dhe konfiskimin e dy raketahedhësve të krahut apo të njohura me termin “zolla” të prodhimit serb në Mitrovicën e Veriut.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se për nivelin dhe sasinë e armatimit të konfiskuar gjatë këtyre katër viteve të gjithë janë dëshmitarë.

“Në anën tjetër, Beogradi jo vetëm që nuk është distancuar asnjëherë nga këto mjete dhe veprime në veri të vendit, por përkundrazi, për vite me radhë i ka stimuluar, organizuar dhe furnizuar grupet terroriste dhe bandat kriminale, me të vetmin qëllim: cenimin e integritetit territorial dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.

Sveçla ka thënë tutje se janë të vendosur që në mënyrë sistematike dhe pa asnjë dilemë të çmontojmë çdo prani kriminale apo potencial terrorist në vend.

“Çdo ditë e më shumë po e kthejmë rendin në atë pjesë të territorit dhe, bashkë me të, edhe investimet dhe zhvillimin për të gjithë qytetarët, pa dallim”, ka shkruar ai në Facebook.