Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar se e ka gjetur trupin e pajetë të personit që ishte mbytur në liqenin e Ujmanit gjatë vikendit.
Përmes në një njoftimi për media, FSK-ja ka treguar se trupi i viktimës është gjetur pas disa orë kërkim.
FSK-ja ka treguar se trupi i është dorëzuar Policisë së Kosovës.
“Falë intesitetit të lartë të kërkimit dhe profesionalizmit të ekipeve tona në terren, pas disa orësh kërkimi në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, AME dhe KFOR, kanë arritur të gjejnë trupin e pajetë në zonën e liqenit të Ujmanit. Pas evakuimit, trupi i pajetë i viktimës i është dorëzuar Policisë së Kosovës dhe ekipit të forenzikës për procedurat e mëtejme”, është thënë në njoftim.
Ndër të tjera FSK-ja ka treguar se ky operacion është arritur në koordinim me partnerët.
“Pas ftesës së Qendrës së Situatave të Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe koordinimeve me partnerët për angazhimin e Ekipeve të FSK-së, Komandanti i FSK-së Gjenerallejtënant Bashkim Jashari ka urdhëruar ekipet e Kërkim Shpëtimit në Ujëra, për realizimin e operacionit humanitar në kërkim të personit të raportuar si i zhdukur. Me pranimin e urdhërit, ekipet e FSK kanë marrë të gjitha masat dhe në koordinim me partnerët ndërkombëtarë dhe qëndror janë angazhuar në operacion e kërkimit të personit të zhdukur”, është thënë në njoftim.