7 C
New York
Friday, November 29, 2024

Buy now

Gjermania urdhëron mbylljen e katër prej pesë konsullatave ruse, reagon Moska

- Advertisement -

Qeveria gjermane njoftoi të mërkurën se i ka kërkuar Rusisë të mbyllë katër nga pesë konsullatat e saj në Gjermani. Vendimi i Berlinit erdhi pasi Moska njoftoi se do të kufizonte numrin e zyrtarëve gjermanë në Rusi, në 350.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane Christofer Burger u tha gazetarëve në Berlin, se me këtë vendim synohet të krijohet një “barazi në personel e struktura”, mes dy vendeve.

Po sot Rusia tha se do t’i përgjigjet, atij që e cilësoi vendim “provokativ” të Gjermanisë, për mbylljen e katër konsullatave ruse.

“Nuk mund të ketë asnjë dyshim në Berlin se këto veprime të pamenduara dhe provokuese, nuk do të mbeten pa përgjigje nga ne”, thuhej në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme ruse.

Kohët e fundit Moska njoftoi se në Rusi duhet të qëndrojnë deri në 350 zyrtarë të qeverisë gjermane, përfshirë ata që punojnë në organet kulturore e shkolla. Sipas zotit Burger kjo do të thotë se Gjermania do të duhet të mbyllë konsullatat e saj në Yekaterinburg, Novosibirsk dhe Kaliningrad deri në nëntor. Ai shtoi se vetëm ambasada në Moskë dhe konsulla në Shën Petersburg, do të mbeten të hapura.

Zyrtari gjerman tha se Rusisë do t’i lejohet të mbajë ambasadën në Berlin si dhe një konsullatë, pas fundit të vitit.

Zhvillimet e fundit shënojnë një përkeqsim të mëtejshëm të marrëdhënieve mes Moskës dhe Berlinit, që pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Zoti Burger shprehu keqardhje mbi vendimin, por shtoi se lufta ka treguar se nuk ka bazë për aktivitete të shumta dypalëshe mes dy vendeve.

“Është sjellja e palës ruse që ka krijuar këtë situatë”, shtoi ai.

Zoti Burger tha se vendimi i Gjermanisë për të përqendruar personelin e saj të mbetur në ambasadën në Moskë dhe në një konsullatë, do të mundësojë ruajtjen e pranisë diplomatike të vendit në Rusi./voa/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit