Ditë më parë Republika e Kosovës e ka ratifikuar në Kuvend këtë marrëveshje me Bosnjën, derisa të njëjtën gjë s’ka arritur që ta bëjë Bosnja për shkak të qëndrimit të kreut të “Republika Srpskas” Millorad Dodik.
Lidhur me këtë pengesë që Dodik po i bën Procesit të Berlinit dhe lirisë së lëvizjes, në një përgjigje për Gazetën Express nga Qeveria e Gjermanisë kanë bërë thirrje që të gjithat shtetet, përfshirë edhe Bosnje e Hercegovinën ta kompletojmë shpejtë ratifikimin, në mënyrë që marrëveshjet të hyjnë në fuqi.
“Ne mirëpresim faktin që Shqipëria dhe Kosova kanë ratifikuar tri marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit më 3 nëntor. Ne iu bëjmë thirrje të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor që sa më shpejt të kompletojnë procesin e ratifikimit në mënyrë që marrëveshjet mund të hyjnë në fuqi”, ka thënë një zëdhënës i Qeverisë Gjermane për Gazetën Express.
Në fund nga Berlini zyrtar thotë se këto marrëveshje do të sjellin përfitime të mëdha për qytetarët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në fushën e lirisë së lëvizjes.
Ndaj Dodik për bllokimin e marrëveshjes ka reaguar edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.
Cramon ka shkruar se bllokimi i ratifikimit dhe ndalimi i qytetarëve të Kosovës për të lëvizur lirshëm është diçka e papranueshme.
“I bëj thirrje Millorad Dodikut të mbaj fjalën dhe ta ratifikojë atë. Këto bllokada janë parandalim për rrugën drejt BE-së”, ka shkruar Cramon.