Ambasadori i ri gjerman në Prishtinë, Rainer Rudolph, në një shkrim autorial të publikuar në faqen zyrtare të Ambasadës së Gjermanisë, ka treguar pritjet e tij për punët që duhet t’i bëjë Kosova, teksa lihet pas një vit i plotë bllokade politike dhe pritet krijimi i një qeverie të re pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Diplomati gjerman si më kryesoren e konsideron përparimin e vendit në rrugëtimin drejt integrimit evropian. Sipas Rudolph, sigurisht që ekzistojnë disa pengesa në rrugën drejt integrimit që s’varen nga Kosova, megjithatë shton se Prishtina zyrtare s’mund të arsyetohet me një gjë të tillë.
“Pra, është edhe më e rëndësishme që Kosova të përqendrohet në ato hapa që mund të ndërmarrë vetë. Njoftimi i fundit se Komisioni Evropian po ecën përpara për të hequr masat ndaj Kosovës pas transferimit paqësor të qeverisjes lokale në veri pas zgjedhjeve të fundit lokale është një lajm i shkëlqyer”, ka shkruar Rudolph.
Ai thotë se vendi ka nevojë për një qeveri të mandatuar që mund të flasë në emër të Kosovë në arenën ndërkombëtare dhe që të zbatojë vendimet brenda vendit.
Sipas diplomatit gjerman, ngërçi i vitit 2025 e ka dëmtuar reputacionin ndërkombëtar të Kosovës dhe janë humbur mjete financiare të cilat Kosova ka mundur t’i marrë.
“I shkruaj këto rreshta para zgjedhjeve të 28 dhjetorit, kështu që shpresoj që një qeveri të formohet shpejt në fillim të vitit 2026. Është një gjë që ngërçi i këtij viti i kushtoi vendit para në fonde ndërkombëtare që mund të ishin ndarë. Çfarë është më keq dhe nuk jam i sigurt nëse të gjithë këtu e vlerësojnë plotësisht: Viti i kaluar ndikoi vërtet në reputacionin ndërkombëtar të Kosovës. Vendi nuk mund të përballojë të humbasë një vit tjetër”, ka shkruar tutje.
Rudolph potencon se Qeveria e re duhet të angazhohet fortë në dialogun e normalizimit të raporteve me Serbinë.
“Nga një qeveri e re, na duhet një angazhim i fortë ndaj dialogut të normalizimit të udhëhequr nga BE. Zgjedhjet lokale të qeta dhe dorëzimi i administratave komunale te kryetarët e sapozgjedhur të bashkive në veri ishin padyshim inkurajuese në këtë drejtim. Në fund të fundit, të gjitha komunitetet në vend duhet të ndihen si në shtëpi në një Kosovë shumëetnike”, shton Rudolph.






