-2.7 C
New York
Wednesday, December 31, 2025

Buy now

Gjermania pajtohet që ta mbyllë hetimin ndaj miliarderit rus – për një shumë 8-shifrore

- Advertisement -

Gjermania është pajtuar me miliarderin dhe biznesmenin rus, Alisher Usmanov, për t’i mbyllur hetimet rreth dyshimeve për shkeljen e ligjit për tregti të huaj, me kushtin që shtetasi ruso-uzbek i sanksionuar nga BE-ja të paguajë 10 milionë euro, thanë të martën prokurorët dhe avokatët e tij në Gjermani.

Në deklarata të ndara, avokatët e tij dhe prokurorët thanë se Usmanovi është pajtuar dhe i ka dhënë udhëzimet që shuma e plotë të paguhet, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Hetimi kishte të bënte me dyshimin për një pagesë prej 1,5 milion eurosh për sigurinë në dy shtëpi në komunitetin bavarez buzë liqenit, Rottach-Egern, mes prillit dhe shtatorit të vitit 2022.

Prokurorët gjithashtu kishin pretenduar se Usmanovi kishte dështuar që të deklaronte bizhuteri, piktura dhe verëra në zyrën gjermane për kontrollimin e eksporteve, BAFA, në pajtim me rregullat e sanksioneve të Bashkimit Evropian. Usmanovi ka mohuar se ka bërë ndonjë shkelje.

Usmanovi, i cili ka pasuri prej 18,8 miliardë dollarësh, sipas Indeksit të Miliarderëve të revistës “Bloomberg”, është subjekt i sanksioneve nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara dhe i një ndalimi për të udhëtuar, masa që i ishin vendosur pas fillimit të luftës në Ukrainë.

Avokatët e Usmanovit kanë thënë se ai nuk ka lidhje me kompanitë e përfshira në pagesat e dyshimta e as nuk i ka në pronësi dhe nën kontroll pronat në fjalë, duke shtuar se sanksionet e Bashkimit Evropian nuk janë drejtpërdrejt të zbatueshme në hetim.

Prokurorët në Munih thanë se do t’i ndërpresin procedurat porsa të pranohet pagesa 8-shifrore.

“[Pas pagesës] nuk ka mundësi që të rihapet një hetim kundër tij mbi bazën e incidentit të njëjtë të dyshuar” – thanë përmes një deklarate prokurorët në Munih./Nacionale/

Të ngjashme

Të fundit