Në kazermën e FSK-së “Adem Jashari” sot u mbajt ceremonia e pranim-dorëzimit të donacionit me automjete nga Gjermania për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci tregoi se morën kamionë ushtarakë nga Gjermania “me vlerë 2.7 milionë euro”.
Kjo, ai tha se “do të ndikojë në ngritjen e kapaciteteve logjistike dhe operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës”.
“Në rrugën e rritjes dhe zhvillimit të ushtrisë sonë, rol të jashtëzakonshëm ka luajtur partneri ynë strategjik, Republika Federale e Gjermanisë. Andaj i jemi shumë mirënjohës”, tha Maqedonci.
Ministri tha se donacioni i sotëm, është në vazhdën e donacioneve tjera që ushtria e Kosovës i mori nga Gjermania.
“2.7 milionë euro që pranuam sot, janë në vazhdën e donacioneve prej 3 milionë e 400 mijë eurove që pranuam vitin e kaluar nga Republika Federale e Gjermanisë. Mbështetja në automje ushtarake për FSK-në është vetëm njëra nga fushat ku Gjermania kontribuon ndjeshëm për mbrojtjen dhe sigurinë e vendit tonë”, tha Maqedonci.