Gjermania ka nevojë për garanci të forta nga SHBA-ja se do të marrë shpejt sisteme të tjera raketore Patriot si zëvendësim, nëse ajo dërgon dy nga njësitë e saj në Ukrainë, tha ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius.
Duke folur për revistën gjermane Der Spiegel, ai tha se vendet evropiane anëtare të NATO-s kanë nevojë për garanci “të hekurta” që çdo sistem amerikan i mbrojtjes ajrore Patriot, i dërguar në Ukrainë, do të zëvendësohet brenda një periudhe prej gjashtë deri në tetë muajsh.
Javën e kaluar, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, bëri të ditur se ka arritur një marrëveshje me shefin e NATO-s, Mark Rutte, që vendet evropiane të aleancës të furnizohen me armë amerikane – sidomos me sistemet raketore Patriot – për ta ndihmuar Ukrainën në luftën kundër Rusisë.
Ky veprim shënoi një kthesë në qëndrimin e Trumpit, i cili tha se është gjithnjë e më i pakënaqur me presidentin rus, Vladimir Putin, që po pengon përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.