Kryetari i CDU-së Friedrich Merz duhet të zgjdihet më 6 maj si kancelari i ri. Këtë e njoftojnë disa agjenci të lajmeve duke iu referuar informacioneve nga qarqet e partive. Edhe gazeta Tagesspiegel pati përmendur më parë këtë datë. Sipas këtyre njoftimeve përgatitjet përkatëse në Bundestag tashmë kanë filluar.
Miratimi nga SPD dhe CDU i marrëveshjes së koalicionit është parakusht për zgjedhjen e kancelarit. CDU-ja do ta bëjë këtë në një kongres partie, ndërsa SPDpërmes procesit të votimit të anëtarëve të partisë.
Forumet e CSU (partia kristiansociale si motër e CDU-së) e miratuan qysh të enjten (10.04.2025) marrëveshjen e koalicionit. Në CDU sipas statutit duhet të vendosë një kongres i vogël partie për koalicionin e planifikuar, ndoshta kjo do të ndodhë më 28 prill. Votimi i anëtarëve të SPD-së do të zhvillohet më 30 prill.
Gazeta Tagesspiegel gjithashtu njofton, se më 5 maj janë parashikuar mbledhjet e grupeve parlamentare. Pas zgjedhjes së kancelarit menjëherë duhet të pasojë emërimi i anëtarëve të rinj të kabinetit qeveritar nga presidenti Frank-Ualter Steinmeier si dhe më pas betimi i kabinetit përpara Bundestagut.
Kancelari zgjidhet nga deputetët e Bundestagut, i cili – pavarësisht nga seanca më 8 maj me rastin e ditës përkujtimore të fundit të luftës përpara 80 vjetësh – nis rregullisht seancat plenare nga 12 maji.
Për zgjedhjen e kancelarit parashikohet një seancë e posaçme më 6 maj. Me zgjedhjen e Friedrich Merz kancelar Gjermania për herë të pestë që nga viti 1949 do të ketë një qeveri koalicioni me bazë të gjerë ndërmjet partive CDU, CSU dhe SPD.
Përpara pak ditësh partitë ranë dakord pas diskutimeve të gjata për marrëveshjen e koalicionit.
CDU deklaron “program të menjëhershëm”