Dimal Basha nga Lëvizja Vetëvendosje është zgjedhur kryetar i ri i Kuvendit të Kosovës, pas një periudhe të gjatë bllokimi institucional dhe mosmarrëveshjesh politike.
Zgjedhja e tij ka ngjallur reagime të shumta në skenën politike, me disa parti që e kanë konsideruar si hap drejt zhbllokimit të institucioneve, ndërsa të tjera e kanë kritikuar ashpër zgjedhjen e Bashës në krye të Kuvendit.
Ish-ambasadori Gjergj Dedaj, në një prononcim dhënë për “Front Online” ka folur lidhur me zhvillimet e fundit politike në vend, duke e cilësuar situatën aktuale si një “spirale të degradimit absurd” dhe “agjendë të frikshme politike”, që sipas tij po e rrezikon të ardhmen e Kosovës.
Ai shpreh shqetësimin se asnjë subjekt politik nuk e ka poshtëruar Kosovën në masën aq sa ka bërë Vetëvendosje në pesë vitet e fundit.
“Kosova ka hyrë në një spirale të degradimit absurd dhe në një agjendë të frikshme politike e cila është duke e rrezikuar të ardhmen e shtetit, për interesa meskine dhe egot me simptome diktatoriale të deputetit Albin Kurti. Nuk mbajë mend ndonjëherë që një subjekt politik shqiptar ta ketë poshtëruar dhe rrezikuar në këtë masë Kosovën, se sa LVV në këto pesë vitet e fundit të regjimit Kurti”, tha Dedaj për Front Online.
Duke komentuar zgjedhjen e Dimal Bashës në krye të Kuvendit, Dedaj e cilëson këtë veprim si një sinjal alarmant që dëshmon lidhje të rrezikshme me qarqe antikombëtare.
“Zgjedhja e Dimal Bashës në krye të Kuvendit të Kosovës dëshmon se LVV ka mision, obligim dhe detyrim nga qarqet anti Kosovë ta sjell shtetin e krijuar me shumë gjak dhe sakrifica, buzë greminës dhe në një situate tragjike dhe komike para falimentimit, debaklit institucional dhe turpërimit para botës demokratike si kurrë më parë”, u shpreh Dedaj.
Dedaj me akuza të rënda e quan Vetëvendosjen “një lëvizje kancerogjene me metastazë vdekjeprurëse për Republikën e Kosovës”.
“Nuk ka asnjë justifikim dhe arsyetim ky degradim shtetëror dhe institucional i cili e ka përfshirë LVV e cila pos dëmtimit të partneritetit Euroatlantik, tashmë është shndërruar në një lëvizje kancerogjene me metastazë vdekjeprurëse për Kosovën”, përfundoi Dedaj për “Front Online”.
Ish-ambasadori Dedaj: PDK dhe AAK gabuan që votuan Dimal Bashën, ndihmuan agjendën shkatërruese të LVV-së
Në një intervistë për “Front Online”, ish-ambasadori Gjergj Dedaj ka kritikuar PDK-në dhe AAK-në për përkrahjen e zgjedhjes së Dimal Bashës në krye të Kuvendit të Kosovës.
Ai deklaroi se ato gabimisht menduan se po e zhbllokonin krizën, por LVV ka synim bllokimin dhe shkatërrimin e shtetit.
“PDK dhe AAK si parti shtetformuse me votimin e Dimal Bashës menduan ta zhbllokojnë ngërçin politik dhe institucional, duke harruar se LVV nuk e ka në agjendë zhbllokimin, por bllokimin dhe shkatërrimin e shtetit dhe të demokracisë së Kosovës”, thotë Dedaj.
Dedaj ka bërë thirrje për unifikim të të gjitha forcave politike për të ndaluar këtë që e quan “zhbërje të Republikës së Kosovës”.
“Është koha e fundit që subjektet politike ish opozitare edhe shoqëria civile, mediat dhe qytetarët të unifikohen në një front të përbashkët për ta parandaluar degradimin e mëtejmë të shtetit për të cilin LVV dhe Albin Kurti nuk e kane asnjë meritë. Heshtja ndaj këtij rreziku është pjesëmarrje në këtë situatë të frikshme të zhbërjes së Republikës së Kosovës”, deklaroi Dedaj për “Front Online”.