Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoni të Veriut, Gjergj Dedaj, ka qenë i ashpër në një intervistë për Periskopin ndaj presidentes Vjosa Osmani, duke e quajtur servile të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Ai ka kritikuar veprimet e saj politike dhe mënyrën se si po mundohet të ruajë pushtetin personal, ndërsa mandati i saj po i afrohet fundit në mars të vitit të ardhshëm.
Dedaj e ka përshkruar sjelljen e Osmanit si përpjekje për të “kacavjerur” për pozita dhe interesa personale.
“Vjosën e kuptoj se ka problem të mandatit të saj që i përfundon në mars të vitit të ardhshëm, dhe ajo duhet të kacavjerret diku, siç ishte kacavjerr në vitin 2021, edhe atë me votat e Listës Serbe që është votuar, diku pas gjysmës së natës që i kanë siguruar votat që të bëhet presidente. Ajo tash shikon ku të gjuhet, sepse LDK-në e ka shkatërru, është dëmtuesja më e madhe, nuk i ka dyert e hapura as në PDK, as në AAK, as në subjektet tjera dhe për këtë arsye është e hutuar dhe e mërzitur për fatin e saj”, ka thënë Dedaj.
Ai ka shtuar se presidentja nuk e ka fare në konsideratë fatin e Kosovës, por vetëm ruajtjen e pushtetit të saj dhe interesin personal.
“Ajo e shikon vetëm fatin e vet dhe lufton për pushtet, është pak t’i thuhet notere, një servile e Albin Kurtit dhe asgjë tjetër”, ka deklaruar Dedaj, duke mos lënë asnjë dyshim mbi qëndrimin e tij ndaj Osmanit.






