Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, gjatë vizitës së tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u takua në Pentagon me Gjenerallejtënant Joseph ‘JS’ McGee, Drejtor i Strategjisë, Planeve dhe Politikave në Shtabin e Përbashkët të Forcave Amerikane.
Gjatë takimit, Jashari e informoi Gjenerallejtënant McGee për arritjet e FSK-së, përfshirë pjesëmarrjen në Defender25, trajnimet me ushtrinë amerikane si dhe përgatitjet për dislokim në Qendrën e Trajnimit të Përbashkët (JRTC). Ai theksoi rëndësinë e arritjes së Kapaciteteve të Plota Operacionale nga ana e FSK-së.
Ndërkohë, Gjenerallejtënant McGee e përgëzoi FSK-në për progresin e bërë, shprehu falënderime për mikpritjen gjatë ushtrimit “Defender 25”, dhe konfirmoi mbështetjen e Pentagonit për zhvillimin e mëtejmë të FSK-së dhe bashkëpunimin në misione të përbashkëta paqeruajtëse.
Në kuadër të vizitës, Gjenerallejtënant Jashari zhvilloi takime edhe me Shefin e Byrosë së Gardës Kombëtare të SHBA-së, Gjeneral Steven S. Nordhaus, si dhe me Komandantin e Gardës Kombëtare të Ajovës në JRTC, Gjeneral Major Steven Osborn.
Gjatë këtyre takimeve, Jashari prezantoi të arriturat e FSK-së dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen e ofruar në proceset e trajnimit dhe përgatitjet për misionin e dislokimit, duke nënvizuar rëndësinë strategjike të këtij partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës