7.9 C
New York
Friday, October 24, 2025

Buy now

Gjenerali Wesley Clark konfirmohet edhe zyrtarisht si dëshmitar në anën e Hashim Thaçit

- Advertisement -

Wesley Clark, ish-Komandanti i Aleancës më të fuqishme ushtarake që ka njohur bota, NATO-s, gjatë kohës së luftës në Kosovë, është konfirmuar edhe zyrtarisht si dëshmitar i mbrojtjes në gjyqin kundër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Ish-gjenerali amerikan që udhëhoqi fushatën 78 ditorëshe të bombardimeve kundër çarqeve të ushtrisë dhe policisë serbe që po kryenin gjenocid ndaj shqiptarëve të Kosovës, është dëshmitari më i rëndësishëm që mbrojtja e ish-Presidentit Hashim Thaçi e ka sjellë në Hagë deri më tani për të dëshmuar në favor të ish-udhëheqësit të Drejtorisë Politike të UÇK-së.

Clark ishte aktori kryesor në ndërhyrjen e NATO-s për ta larguar regjimin e Serbisë nga Kosova. Pikërisht për këtë arsye, dëshmia e tij konsiderohet se do ta sfidojë fuqishëm narrativen e Prokurorisë së Hagës për “Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale”. Sepse, nëse UÇK-ja do të ishte një organizatë kriminale, siç pretendon Prokuroria, atëherë vetë NATO – e cila bashkërendonte veprimet me të – do të duhej të akuzohej për të njëjtin “krim”. Clark pritet t’ia rikujtojë Hagës se ajo që po tenton ta kriminalizojë sot, ishte partneri i saj i djeshëm në një luftë të drejtë për çlirim.

Ish-ushtaraku amerikan është dëshmitari i me radhë i mbrojtjes në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së. I pari që dëshmoi ishte ish-ndihmëssekretari Amerikan i Shtetit gjatë kohës së luftës në Kosovë, James Rubin.

Pas tij, dëshmoi Paul Williams, këshilltar i delegacionit të Kosovës në Rambuje. I treti ishte John Duncan, ish-këshilltar i Clark-ut dhe i katërti ishte Jock Covey, zëvendëskryeadministrator i Kosovës nga viti 1999 deri më 2001.

Dëshmitarët e mbrojtjes do të dëgjohen deri nga mesi i nëntorit, eventualisht deri në fund të këtij muaji. Palët do të kenë afat deri në muajin dhjetor për të dorëzuar me shkrim fjalët përfundimtare, ndërsa në fillim të vitit të ardhshëm pritet vendimi përfundimtar i Panelit të Gjyqtarëve.

Ndryshe, që nga 5 nëntori i 2020-së, në qendrën e paraburgimit në Hagë ndodhen katër ish-krerë të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të akuzuar nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte dhe kundër njerëzimit

Të ngjashme

Të fundit