Gjenerali amerikan, Wesley Clark, do të vazhdojë sot në orën 9:00 dëshminë e tij në Hagë në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në ditën e parë të dëshmisë, Clark tha se nuk besonte që Thaçi ishte udhëheqës ushtarak i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Clark, që udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në vitin 1999, tha se nuk besonte që Thaçi komandonte personat që kryen akte të dhunës pas çlirimit të Kosovës.
“Unë nuk mendoj që Thaçi ka pasur kontroll mbi njerëzit që kanë bërë akte të tilla. Së pari, nuk është e qartë që dhuna ishte kryer nga UÇK-ja. Unë nuk besoj që ka qenë UÇK-ja, por edhe po të ketë qenë, nuk kishte mekanizëm kontrolli. Ishte më tepër një rezistencë. Njerëzit ishin në rezistencë, sepse donin të shpëtonin jetët e tyre”.
Ai madje e mori edhe një shembull, për ta sqaruar “rezistencën”.
“Po të shikosh atë që ka ndodhur në revolucionin amerikan, ka të gjitha llojet e veprimeve të ngjashme kundër britanikëve në këtë rast, nga amerikanët. Pra nëse kanë qenë në një situatë të ngjashme, asgjë nuk është se ka qenë në mënyrë të organizuar. Unë personalisht asnjëherë s’kam marrë ndonjë informacion të tillë”, tha ai.
Në fund, Clark thotë se nëse amerikanët do të kishin informacione se “këto akte po kryheshin nga UCK, do të vepronim”.
“UÇK e kuptonte qartë se ata nuk do të merrnin atë që morën në fakt, që ishte heqja e forcave serbe, po të mos ishte për NATO-n”.






