Pas prezantimit të djeshëm të Ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj në Forumin Ndërkombëtar “Gratë, Paqja dhe Siguria” në panelin e sesionit me temën ” Agjenda për Gratë, Paqen dhe Sigurinë nën dritën e vazhdueshme të ndryshimeve të arkitekturës së sigurisë”, sot në ditën e dytë të Forumit, Inspektorja Gjenerale e FSK-së, Gjeneralmajore Irfete Spahiu prezantoi në panelin e sesionit me temën ”Gratë si ofruese të sigurisë sfidojnë stereotipet gjinore në sektorin e sigurisë”.
Me këtë rast, Gjenerale Spahiu nga perspektiva e saj prej lidere ushtarake me përvojë 24 vjeçare, prezantoi angazhimin e autoriteteve politike e ushtarake të vendit tonë për implementim cilësor të Rezolutës 1325 të OKB-së në kuadër të FSK-së, duke hedhur vështrimin e saj për nevojën e ofrimit të mundësive të barabarta për gratë dhe burrat në përpjekje për paqen dhe sigurinë.
Gjithashtu, Gjenerale Spahiu rikujtoi se përkundër stereotipeve, duke u nisur nga shembulli i saj dhe kolegeve ushtarake të FSK-së, gratë mund të mposhtin sfidat operacionale, të arrijnë trajtimin dhe mundësitë e barabarta për të arritur me efektivitet, krahas kolegëve burra, të trajtojnë sfidat e sigurisë.
Ajo me këtë rast, inkurajoi të gjitha vajzat dhe gratë pasionante të uniformës ushtarake e policore që t’i bashkohen sektorit të sigurisë, sepse kështu ato si ofruese të sigurisë mund të sfidojnë edhe më shumë stereotipet gjinore në sektorin e sigurisë, të cilat më pas do të i takojnë së kaluarës.
Ky panel, në përbërje prej grave me karrierë të suksesshme në institucione të sigurisë, synoi të paraqesë histori të suksesshme të kontributit të grave në sektorin e sigurisë dhe të avokojë që më shumë gra të bashkojnë përpjekjet për të rritur sigurinë në mesin e komuniteteve, si dhe u fokusua në promovimin e perspektivës së integruar gjinore në proceset e zgjidhjes së problemeve dhe vendimmarrjes në sektorin e sigurisë.