Një incident jo fort i zakonshëm ka ndodhur dje në fshatin Skivjan të Gjakovës, ku gjatë punimeve në një fushë bujqësore janë gjetur dy mjete shpërthyese, të dyshuara si granata dore. Rasti është raportuar në Polici nga një qytetar dhe me të marrë lajmin njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, raporton Gazeta Sinjali
Patrulla policore pasi ka dalë në vendin e ngjarjes, ka konstatuar praninë e dy granatave të dorës të pashpërthyera.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se sipas verifikimeve, mjetet e gjetura janë klasifikuar si mjete shpërthyese të kategorisë A-6.
Autoritetet përkatëse kanë njoftuar ekipin e specializuar për deminim të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), si dhe Prokurorin Kujdestar.
Pas disa orësh, njësia përkatëse e FSK-së ka arritur në vendin e ngjarjes dhe ka bërë tërheqjen e mjeteve të rrezikshme, duke i transportuar në një lokacion të sigurt për asgjësim.
Operacioni është realizuar pa incidente dhe zona është vlerësuar si e sigurt.