Një aksident trafiku ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Waldshut – Tingen të Gjermanisë, afër kufirit me Zvicrën.
Në aksident raportohet të jenë lënduar gjashtë persona, mes tyre edhe fëmijë.
Mediat në Gjermani raportuan se aksidenti ka ndodhur mes një veture tip Audi dhe një kamioni.
Ndërkaq, gazetari Bahri Cani ka njoftuar se në mesin e të lënduarve është një familje kosovare pesë-anëtarëshe, e cila ishte nisur nga Kosova për në vendin ku jeton.
“Nga njerëz të afërt të të aksidentuarve mora vesh se të gjithë në makinë janë lënduar, por një prej fëmijëve ka përjetuar lëndime më të rënda. Të gjithë ata janë sistemuar nëpër spitale ku po marrin ndihmat e duhura mjekësore”.
“Familja është me origjinë nga Rahoveci. Por për shkaqe ndjeshmërie nuk mund të jap më shumë të dhëna”, tha Cani përmes një postimi në Facebook.
Policia e Freiburgut njoftoi se një person mbeti i bllokuar në veturë dhe u lirua nga zjarrfikësit vullnetarë.
Ndërkaq, u tha se në mesin e të lënduarve të tjerë ishin edhe tre fëmijë të vegjël, nga pesë muaj deri në tre vjeç.
“Disa prej tyre u transportuan me helikopterë shpëtimi drejt klinikave. Në total, gjashtë persona u lënduan, disa prej tyre rëndë. Policia e trafikut e Waldshutit ka nisur hetimet për rrethanat dhe shkaqet e aksidentit”, u tha në njoftimin e Policisë së Freiburgut.
Për gjendjen e të lënduarve, policia nuk dha informacione.






