Rreth një muaj më parë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar që secila ministri të ia dorëzojë pesë të arriturat e saj për këto 18 muaj punë. Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, i kanë ndarë gjashtë të arriturat kryesore për këtë kohë. Derisa nga partitë opozitare thonë se kjo ministri dhe e para e saj kanë dështuar, sepse nuk e kanë siguruar asnjë njohje për vendin.
Për këto 18 muaj punë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka ndarë gjashtë arritjet e saja për t’ia dorëzuar kryeministrit Kurti.
Si të arritura i kanë cilësuar nga blerjet e objekteve të ambasadave jashtë vendit deri në programin për mërgatë.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës
“1. Reforma dhe ristrukturimi i plotë i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD); hyrja në fuqi e rregullores së re për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës; shkrirja e dy institucioneve në një, si dhe sistemimi i zyrtarëve të këtyre dy ministrive;
2. Fillimi i procesit të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës;
3. Lansimi i programit të parë për Diplomaci Qytetare në kuadër të MPJD-së me synimin për ndërlidhjen e profesionistëve nga mërgata dhe diaspora me vendlindjen;
4. Inicimi dhe zhvillimi i platformës “Dialogu me Mërgatën” në 16 lokacione të ndryshme jashtë vendit, si dhe finalizimi i fushatës “Shijo Kosovën” në 15 komuna të Republikës së Kosovës; me qëllim avancimin e një dialogu të dyanshëm për të adresuar mundësitë dhe sfidat me të cilat ballafaqohen bashkatdhetarët tanë;
5. Rritja e llogaridhënies për harxhimin e parasë publike; fokusi tek menaxhimi i kontratave të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës me operatorë ekonomik brenda dhe jashtë vendit; si dhe ndërprerja e kontratave të dëmshme për buxhetin e Republikës brenda dhe jashtë vendit;
6. Blerja e objektit të ambasadës në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Mirëpo, deputetët e partive opozitare, gjithë këtë kohë po e konsiderojnë si dështim për këtë ministri.
Sipas Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ministrja Gërvalla duhet të japë dorëheqje sepse nuk ka siguruar asnjë njohje për vendin.
Në anën tjetër, njohësi i çështjeve të politikës Dorajet Imeri thotë se njohjet mund të jenë vetëm njëra nga sfidat e MPJD-së.
Sipas tij, kjo ministri duhet të angazhohet në promovimin e vendit.
Një muaj më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar nga secila ministri t’ia dërgojë të arriturat e saj për këto muaj pune. /Tëvë1/