18.5 C
New York
Friday, August 1, 2025

Buy now

Gjashtë punëtorë ndërtimi vdiqën në korrik, institucionet në gjumë

- Advertisement -

Vetëm në muajin korrik gjashtë punëtorë ndërtimi kanë humbur jetën në Kosovë, shkaku i kushteve të pasigurta të punës. Ekspertët fajësojnë punëdhënësit për neglizhencë dhe institucionet për mosveprim. Të njëzëri janë edhe sindikatat.

Një punëtor i sektorit të ndërtimtarisë ka humbur jetën në Prizren mbrëmjen që lamë pas duke e çuar në gjashtë numrin e vdekjeve në vendet e punës vetëm gjatë muajin korrik.

Në një vend ku ndërtimet rriten dita-ditës, shpesh harrohet siguria e atyre duarve që ngritin këto mure.

Këtë e tregojnë kushtet e vend punishteve ku ndërruan jetë këta persona.

Javën e kaluar më 21 korrik, kur humbën jetën dy punëtorë në Gjakovë, lidhur me rastin u arrestuan dy persona përgjegjës për ndërtimin si rrjedhojë e mos ofrimit të kushteve elementare të sigurisë në vendin e punës. Po atë ditë, vdiq një punëtorë në Istog. Ndërkaq të nesërmen, një në Skenderaj.

Tragjedia vazhdoi më 27 korrik ku një punëtor tjetër vdiq në Ferizaj pasi ra nga një vinç.

Të gjitha rastet, patën një të përbashkët, mungesën e sigurisë në vend punishte.

E, sipas ekspertëve të sigurisë në punë, gishti drejtohet së pari nga udhëheqësit e vend punishteve.

“Është për tu mërzitur e shqetësuar. Gjithë kjo po vjen nga pakujdesia e punëdhënësve, inspektorati s’mundet ti ndal. Ata duhet vetëdijesuar, nuk ndajnë kurrfarë buxheti për një njeri brenda kompanisë që të sigurohet për shëndetin e punëtorëve, pajisjet. Si pasojë e neglizhencës së tyre, këto raste do rriten”, ka thënë eksperti sigurisë dhe shëndetit në punë, Naim Bajraktari.

Por sipas Bajraktarit, shkaktar mbetet edhe monitorimi i dobët i institucionit që ka e ka në përgjegjësi të merret me sigurinë në punë.

“Inspektorati ka punën e vet, kanë neglizhencë në një masë sa të thuash. Kontrollimet janë aq të pakta, aq të mangëta sa që vërtet edhe punëdhënësit bëjnë siç gjejnë pasi edhe kjo amullia që po ndodhë në Kosovë me mos krijimin e institucioneve iu ka dhënë një liri të mos mendojnë se nuk ka kontroll. Dënimet mos të them se janë të vogla, por nuk i marrin, nuk i caktojnë, nuk i marrim dënimet e merituara. Jemi dëshmitarë, askush s’morri përgjegjësi për jetët e humbura”, ka shtuar Bajraktari.

Të shqetësuar me situatën janë shprehur nga Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të Sektorit Privat të cilët, gishtin e drejtojnë nga institucionet.

“Ajo çka është më e keqja, këto vdekje janë bërë normale për pronarët e kompanive dhe pushtetin. Pas shumë kërkesave për institucionet shtetërore që të ulemi dhe të bisedojmë për këto raste, pushteti ka zgjedhur injorimin e kërkesave sindikale ku kemi kërkuar që në raste të tilla ajo ç‘ka më së paku mund të bëjë pushteti, të ketë një pension solid për këto familje sepse edhe fëmijët e këtyre familjarëve kanë të drejtë në ekzistencën minimale të jetës së tyre”, ka thënë Jusuf Azemi.

Në ndërkohë, televizioni ka pyetur Inspektoratin e Punës nëse ka shtuar inspektimet nëpër vend punishte pas këtyre rasteve, por nuk ka marrë përgjigje. /Dukagjini/

Të ngjashme

Të fundit