Për të gjitha veturat që ministritë i kanë në përdorim nevojiten mjete buxhetore për servisimin dhe mirëmbajtjen e tyre. Për këto shërbime, 6 dikastereve të ndryshme, u ka kushtuar rreth 208 mijë euro. Vlera e shumës për secilën ministri, varet nga numri dhe lloji i automjeteve si dhe kohëzgjatja e kontratave.
Veturat zyrtare sikurse të gjitha veturat kërkojnë mirëmbajtje dhe servisim.
Për këtë qëllim, institucionet e ndryshme ndajnë mijëra euro për periudha të ndryshme kohore.
Varësisht numrit dhe llojit të automjeteve, ndryshon edhe çmimi i këtyre shërbimeve.
Zyra e Kryeministrit, për 9 vetura që posedon, nga BMW, SKODA e Toyota, servisimi i kushton mbi 15 mijë euro.
Një shumë të ngjashme, por për një numër më të madh të automjeteve, e paguan edhe Ministria e Bujqësisë, ku për 34 automjete që zotëron shpenzon mbi 15 mijë euro.
Nga buxheti i saj, dikasterit të Ekonomisë, mbi 60 mijë euro i shkojnë për servisim e mirëmbajtje të 10 automjeteve.
Ministria e Mbrojtjes ka destinuar afro 76 mijë euro për kujdesin ndaj automjeteve transportuese.
Për 7 vetura të tipit, NISSAN e HYNDAI, 44 mijë euro i shpenzon Ministria e Kulturës.
Shifra më të vogla për servisim e mirëmbajtje të automjeteve, kanë planifikuar Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë. Derisa kësaj ministrie këto shërbime i kushtojnë 8 mijë euro për 21 automjete, asaj të Administratës dhe Pushtetit Lokal i kushtojnë mbi 5 mijë euro. /Tëvë1/