Girona ka dëshmuar për mrekulli që nuk është befasisht në krye të La Liga-s, duke triumfuar bindshëm te Barcelona.
Mysafirët arkëtuan pikët e plota në stadiumin e mbushur “Camp Nou” me rezultat 2:4.
Ndeshja mes Barçës dhe Gironas rezultoi të jetë shumë e hapur me raste të shumta nga të dy skuadrat nga minuta e parë.
Girona kaloi fillimisht në epërsi me anë të Artem Doybyk që pas një kundëraksioni të shpejtë e kishte të lehtë të shënonte pas asistimit fantastik të Viktor Tysgankov (12’).
Barcelona u kundërpërgjigj shpejtë me Robert Lewandowskin që realizoi lehtë me kokë pas harkimit të Raphinhas (19’).
Derisa Barcelona po sulmonte, mysafirët krijuan një tjetër aksion të shpejtë – këtë herë me Miguel Gutierrez që realizoi një eurogol duke dribluar dhe me një goditje fantastike e mposhti portierin vendas (41’).
Barcelona kishte më shumë raste në pjesën e dytë, me Ilkay Gundogan dhe Frenkie de Jong që tentuan nga distanca, por ishin gjuajtje të lehta.
Girona nuk u ndal për ta dyfishuar epërsinë me Valery që përfitoi nga një asistim i Stuani dhe njëkohësisht një mbrojtje jo e mirë e vendasve për të shënuar përballë Penas (80’).
Barcelona dha vonë shenja jete me Ilkay Gundogan që realizoi pas asistimit fantastik të Ferran Torresit (90+1’).
Në fakt katalunasit mund ta barazonin rezultatin, mirëpo Lewandowski dështoi keq nga afërsia vetëm një minutë më vonë.
E qysh në aksionin tjetër, mysafirët vulosën fitoren e thellë prej 2:4 me anë të Stuanit (90+5’).
Girona tani është lider i vetëm në La Liga me 41 pikë, dy më shumë se Real Madrid derisa Barcelona renditet në pozitën e katërt me 34 sosh.