31.7 C
New York
Sunday, July 6, 2025

Buy now

Gërxhaliu: Sistemi i fiskalizimit është shndërruar në eksperiment për interesa të grupeve të caktuara

- Advertisement -

Vendimin e Ministrisë së Financave që bizneset të kalojnë nga përdorimi i arkave fiskale në një sistem të ri digjital brenda një afati 60-ditor, ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, e ka cilësuar si një “eksperiment” të dështuar që, sipas tij, është zhvilluar pa dialog dhe në shërbim të interesave të ngushta.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Gërxhaliu ka deklaruar se ky vendim është dëshmi e mungesës së përgjegjësisë institucionale dhe e injorimit të sektorit privat në procese vendimmarrëse që prekin drejtpërdrejt ekonominë e vendit.

“Në rend të parë, sistemi i fiskalizimit në Kosovë është shndërruar në një eksperiment i cili ka qenë shumë më tepër në interes të përfitimeve të grupeve të caktuara të interesit se sa në përfitime të shtetit. Ka qenë një proces maratonik deri sa është vu në binar fiskalizimi përmes arkave fiskale, një vendim i ri i ministrit të Financave rreth kalimit nga arkat fiskale në sistemin e digjitalizimit e dëshmon më së miri që në Kosovë është varrosur partneriteti dhe dialogu publiko-privat. Bëhen vendime pa informim dhe pa një dialog të mirëfilltë me sektorin privat dhe fakti që ministri urdhëron diçka tjetër dhe nga ATK-ja shtohet presion për diçka tjetër e dëshmon më së miri mungesën e përgjegjësisë institucionale,” tha ai.

Sipas Gërxhaliut, procesi aktual ka krijuar konfuzion për shkak të moskoordinimit ndërmjet institucioneve dhe mungesës së kritereve të qarta për zbatim në praktikë.

Gërxhaliu kritikoi afatin 60-ditor të përcaktuar me vendim administrativ nga ministri i Financave për kalimin në sistemin digjital, duke e quajtur të papërgatitur dhe të rrezikshëm për ambientin e të bërit biznes në Kosovë.

“Derisa ministri me një vendim administrativ e përcakton një periudhë kohore 60-ditore që të kalohet në digjitalizim, në të njëjtën kohë nuk përcakton kritere të sakta. Administrata tatimore e sfidon sektorin privat duke i detyruar të kthehen dhe të blejnë edhe më tutje arka fiskale. Është një situatë e cila po e dëmton ambientin e të bërit biznes në Kosovë duke dëmtuar sektorin privat në masë të madhe. Proceset të tilla kërkojnë parapërgatitje, kërkojnë në rend të parë dialog, kërkojnë periudha pilotuese, të dhëna bazike ku ruhen të dhënat dhe kush i menaxhon dhe kush është ai që shpik këtë softuer. Dhe mbi të gjitha, ka vende të cilat bëjnë subvencionimin e një tranzicioni të tillë”, tha ai.

Ai theksoi se vendimet e tilla kërkojnë përgatitje të mirëfilltë, dialog paraprak, faza pilotuese, të dhëna të qarta mbi sigurinë dhe menaxhimin e sistemit, si dhe subvencionim të procesit, siç ndodh në vendet e tjera.

“Në Kosovë kjo nuk është duke ndodhur, e tërë kjo mbetet barrë e sektorit privat – edhe për të blerë arkat fiskale, edhe për të kaluar në sistemin e digjitalizimit, por edhe për të paguar gjoba nga ATK-ja,” tha ai.

Ai paralajmëroi se mungesa e përgatitjes dhe afati i shkurtër për implementimin e fiskalizimit digjital mund të rrisë edhe evazionin fiskal.

“Nuk mund të kalohet një proces i tillë në një periudhë kohore 60-ditore, kur në vendet e rajonit një proces i tillë ka zgjatur 2-3 apo 4 vjet dhe ende nuk është i finalizuar. Në aspektin ligjor ka qenë një vendim me ngut. Kjo në mënyrë indirekte e dëmton edhe buxhetin e shtetit, sepse e rrit informalitetin dhe në vend që të lëshohen kupona fiskalë në mënyrë profesionale, tani e tutje lëshohen vetëm paragona dhe e tëra kjo vetëm e rrit ekonominë informale në Kosovë, e cila pothuajse në mungesë të sundimit të rendit dhe ligjit, në mungesë të një dialogu të mirëfilltë, është shndërruar në një sëmundje kancerogjene të ekonomisë kosovare,” përfundoi Gërxhaliu.

Të ngjashme

Të fundit