Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, ka komentuar ndarjen e mjeteve financiare për studentët në prag të zgjedhjeve, duke e cilësuar këtë veprim si të gabuar dhe me prapavijë politike.
Ai theksoi se vetëdija e studentëve kosovarë është shumë më e lartë sesa që mendon politika dhe se tentativa për të ndikuar tek votuesit me mjete të tilla është e pavend.
“Studentët kanë nevojë për mbështetje, mirëpo duhet të analizohet nga dimensioni kohor dhe forma që është bërë e një mbështetje të tillë. Mirëpo, unë kam punuar gjatë me studentë dhe vetëdija e studentëve kosovarë është shumë e lartë, sesa që mendon politike. Nuk mund të blihet vota me 100 euro. Në fund të fundit, vota meritohet dhe nuk futet në treg në këtë mënyrë. Besoj që qasjet në momente të tilla janë shqetësues”, deklaroi ai në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.
Sipas Gërxhaliut, sistemi arsimor në Kosovë ka nevojë për reforma serioze e përkushtim afatgjatë, e jo për veprime të momentit me motive politike.
“Arsimi meriton reformë e përkushtim, e jo në një kohë të zgjedhjeve, konkretisht dy ditë para zgjedhjeve tu u shpërndahen këto mjete. Kjo ndodhë në Kosovë”, deklaroi ai. /teve1.info/






