Njohësi i ekonomisë ka thënë se rritja e çmimit të energjisë elektrike duket se do të jetë e pashmangshme.
Ajo ka thënë se një gjë e tillë do të ishte goditje për qytetarët edhe ekonominë.
“Do të goditen qytetarët ekonomia, prodhimet vendase nuk do të jenë konkurrente. Ditë të vështira për qytetarët e Kosovës dhe rritja duket se do të jetë e paevitueshme”, ka thënë ai në emisionin “InfoNata” në Tëvë1.
Gërxhaliu ka thënë se kërkesa e operatorëve për ngritje të tarifave të energjisë vije si pasojë e importit të lartë. Madje, ai ka thënë se KESCO po kërkon paratë e veta.
Ai ka thënë se keqmenaxhimi i sektorit të energjisë ka sjellë Kosovën në këtë situatë.
Të premten është paralajmëruar një protestë kundër paralajmërimit për ngritje të tarifave të energjisë elektrike.
Sipas Gërxhaliut kjo protestë është për tu përshëndetur, por sipas tij nuk mund të ketë efekt nëse nuk mbështetët nga partitë opozitare.
“Nuk mund ta ketë fuqinë e vet pa mbështetje të opozitës. Një heshtje e opozitës është motiv për pushtetin që të eksperimentojë”, ka thënë ai.
KESCO ka kërkuar rritje prej 21% të tarifave të energjisë.
ZRrE ende nuk e ka shqyrtuar këtë kërkesë, ndërsa ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se do të japin komentet e tyre pas publikimit të raportit nga ZRrE.






