Me ftesë të zëvendëskryeministres dhe ministres së Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Sllovenisë, Tanja Fajon, zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, po merr pjesë në edicionin e 20-të jubilar të Forumit Strategjik të Bledit, që mbahet më 1 dhe 2 shtator 2025, me temën “Një botë e pakontrolluar” (A Runaway World).
Sipas njoftimit të MPJD-së, forumi i Bledit mbetet një platformë e rëndësishme globale për debatin rreth sfidave të sigurisë, zhvillimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Në kuadër të tij është bërë e ditur se ministrja Gërvalla do të jetë folëse në një nga sesionet qendrore, ku do të prezantojë vizionin e Republikës së Kosovës për “forcimin e multilateralizmit dhe ndërtimin e besimit në një kohë të pasigurt globale”.
Gjatë forumit, ministrja Gërvalla do të zhvillojë takime dypalëshe me homologë të vendeve pjesëmarrëse, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare dhe aktorë të shoqërisë civile.