Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, sërish ka pretenduar se Kosova është duke përjetuar zhvillim ekonomik, gjë që sipas saj në Gjermani po ndodh e kundërta, ka vështirësi ekonomike.
Sipas Gërvallës, takon njerëz në aeroport që i tregon asaj që po kthehen në Kosovë, sepse janë të pakënaqur me gjendjen e Evropës Perëndimore.
“Kosova po qëndron mirë”, sipas saj, deklarata të dhëna në Tëvë1, të martën.
“Unë takoj me dhjetëra qytetarë në muaj dhe shoh që ka një tendencë të kthimit me kujdes, kthimit njëherë për 3 muaj, pastaj 6 muaj, kemi të bëjmë me një kategori të caktuar”.
“Unë takoj në aeroplan çdoherë që kanë ikur para një kohe jo shumë të gjatë, edhe po kthehen përsëri sepse kanë konstatuar se jo gjithçka në Gjermani, Zvicër, Suedi e shtete tjera është kaq e lehtë sa duket nga distanca. Është e vërtetë që Evropa Perëndimore është duke u përballur me vështirësi të mëdha ekonomike, është e vërtetë që Evropa Perëndimore është duke vuajtur nga një gjendje instabiliteti siç i shihni Gjermania, ka zgjedhje të parakohshme, presidenti francez përballet me sfida të shumta. Nuk jemi në vitin 1990 deri vitin 2000 ku pati në hov të jashtëzakonshëm Gjermania”.
“Gjermania është në kërkim të një ndryshimi politik që këtë ballafaqim me krizën e rëndë ekonomike dëshiron t’i jap zgidhje, të gjithë ata që kanë shkuar në Gjermani apo Zvicër dhe kanë gjetur një të ardhme siç e duan ne nuk kemi të drejtë t’i themi kthehemi në Kosovë, dëshira jonë është që ata që nuk janë të kënaqur me gjendjen që kanë gjetur atje që atyre të iu hapim rrugën që të kthehen në Kosovë dhe të krijojnë të ardhmen e tyre këtu”.