Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se një ndër temat kryesore në takimin e saj me homologun e saj turk, Hakan Fidan, ka qenë siguria dhe stabiliteti në rajon, “veçanërisht nga ndikimi destabilizues dhe kërcënues i Serbisë ndaj Kosovës”.
Gërvalla ka thënë se Serbia është një rrezik real për stabilitetin rajonal dhe se kërcënimet për bllokimin e pikave kufitare sot janë vetëm një dëshmi e shtuar e synimeve të saj hegjemoniste.
Në këtë kontekst, ajo ka thënë se Kosova është e vendosur, që në bashkëpunim me partnerët e saj strategjikë, përfshirë edhe Turqinë, të vazhdojë ta ruajë paqen dhe sovranitetin e saj.
“Marrëdhëniet midis Kosovës dhe Turqisë janë të bazuara në miqësi dhe bashkëpunim të ngushtë. Në aspektin ekonomik, bashkëpunimi jonë është i veçantë. Investimet turke përgjatë viteve kanë luajtur një rol kyç në zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke krijuar vende pune dhe duke përmirësuar dukshëm infrastrukturën. Ne do të vazhdojmë të punojmë në thellimin e marrëdhënieve tona ekonomike. Komuniteti i madh shqiptar ne Turqi luan një rol kyç në forcimin e lidhjeve mes dy vendeve tona, të cilët kanë krijuar një histori të gjatë dhe të suksesshme integrimi. Ata kanë shërbyer si urë lidhëse mes dy popujve tanë”.
“Ndër temat kryesore që diskutuam ishte edhe siguria dhe stabiliteti në rajon, në një kohë kur rajoni ynë përballet me sfida të mëdha të sigurisë, veçanërisht nga ndikimi destabilizues dhe kërcënues i Serbisë ndaj Kosovës. Roli i Turqisë dhe I NATO-s është i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në të gjithë rajonin. Kosova mbetet e përkushtuar në partneritetin e saj me NATO-n dhe përforcimin e pranisë në vendin tonë si një garanci për paqen në rajon”.
“Në këtë kontekst, ne e shohim Serbinë si një rrezik real për stabilitetin rajonal. Kërcënimet për bllokimin e pikave kufitare sot janë vetëm një dëshmi e shtuar e synimeve hegjemoniste dhe veprimeve konkrete destablizuese të Serbisë. Sovraniteti i Kosovës nuk është i diskutueshëm. Jemi të vendosur që në bashkëpunim me partnerët tanë strategjikë, përfshirë edhe Turqinë, ta vazhdojmë ta ruajmë paqen në Kosovë”.
Ajo ka thënë se e vlerëson shumë mbështetjen e Turqisë edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në arenën ndërkombëtare. /EO/