Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, në një intervistë për “Top Channel” ka folur për momentet e vështira në raportet me Shqipërinë.
Gërvalla ka thënë se kishte pasur acarim të raporteve si pasojë e veprimit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që ka propozuar marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, pa e diskutuar atë fillimisht me Kosovën. E po ashtu edhe “Ballkani i Hapur” ka thënë se ka qenë pikë e mospajtimeve.
“Pika ku kemi mospajtime është qëndrimi që Shqipëria ka mbajtur në raport me ‘Ballkanin e Hapur, që ne e shohim si Kalë Troje të Rusisë për të depërtuar në Evropë. Siç e dini ‘Ballkani i Hapur’ është mbyllur, herë pas here nxirret nga sirtari, por pa asnjë lloj perspektive. Kemi pasur propozime të Ramës në Bruksel për zgjidhje të marrëveshje pa kaluar ato propozime në Prishtinë. Në Kosovë ka një acarim për disa iniciativa të panevojshme, si p.sh organizmi i një kampionati të futbollit, me iniciative të Shqipërisë dhe Serbisë. Është e vërtetë që Shqipëria ka potencial për të ndihmuar shumë, por në këto tema mund të ishte më i mirë bashkëpunimi dhe të respektohen institucionet e Kosovës”, tha Gërvalla.
Gërvalla, ka thënë se ka pasur shumë pak normalizim të marrëdhënies mes Kosovës e Serbisë. Ajo ka folur edhe për ndikimin e Rusisë në rajon.
“Serbia nuk është Rusi, por e kopjon Rusinë në raport me Kosovën”, tha Gërvalla. “Evropa duhet të zgjohet nga iluzioni që me ledhatime të autokratëve do mund të afrohemi me Evropën”.