Në mbledhjen e parë të mbajtur nga Këshilli i Përgjithshëm i Partisë Guxo është miratuar një deklaratë e ku thuhet se kjo parti është e vendosur për mbrojtjen e rendit dhe ligjit. Të dy kryetarët e kësaj partie u zotuan që nuk do ta përkrahin asnjë propozim që cenon kushtetutën, rendin dhe ligjin.
Kryetarja e partisë, Donika Gërvalla ka publikuar një pjesë të deklaratës politike, e ku thuhet se kjo parti është e vendosur për ta luftuar edhe krimin e korrupsionin në veri dhe në tërë vendin.
“Në mbledhjen e tij të parë, Këshilli i Përgjithshëm i Partisë Guxo miratoi deklaratën politike, në të cilën ndër të tjera theksohet:
“Partia GUXO është e vendosur për vendosjen dhe mbrojtjen e rendit dhe ligjit, luftimin e krimit dhe korrupsionit, si në veri të Kosovës ashtu edhe në të gjithë vendin, luftimin me vendosmëri të bandave kriminale serbe, të stimuluara, të organizuara, të trajnuara dhe të pajisura nga shteti i Serbisë dhe udhëheqja e tij dhe dënimin, sado të vonshëm, të krimeve të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë. Në këtë kuadër, Partia GUXO angazhohet edhe për një mbështetje më efikase të të mbijetuarve të dhunës seksuale të viteve 1998-1999 dhe krijimin e një ambienti shoqëror dhe institucional që i respekton nevojat e kësaj kategorie të veçantë të shoqërisë sonë.””, ka shkruar ajo.
Ndërkaq, kryetari Faton Peci deklaroi se kjo parti e përkrah Qeverinë në dialogun me Serbinë dhe se refuzon çfarëdo propozimi që cenon kushtetutën, sovranitetin dhe funksionimin e shtetit të Kosovës.
“Këshilli i Përgjithshëm rikonfirmoi edhe një herë qëndrimin e Partisë GUXO përkitazi me dialogun me Serbinë, sulmin e Serbisë, provokimet e përditshme dhe kërcënimet e Serbisë kundër Kosovës, me synim të realizimit të projektit të “Botës Serbe” apo si projekt rus me qëllim të destabilizimit të Kosovës dhe të rajonit duke synuar shpërqendrimin e vëmendjes nga lufta në Ukrainë dhe lufta në Gaza.
Partia GUXO përkrah Qeverinë në bisedat me Serbinë dhe thekson se refuzon çfarëdo propozimi apo konstrukti ligjor që cenon kushtetutën, sovranitetin dhe funksionimin e shtetit të Kosovës.
Në diskutimet e shumta që u zhvilluan, iu dha përkrahje e fuqishme kryesisë së Partisë Guxo, ministrave të Partisë GUXO në Qeverinë e Kosovës si dhe deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe u shtrua nevoja e shtimit të punës në masivizimin e Partisë GUXO në terren dhe konsolidimin e strukturave të saj në tërë Kosovën dhe në mërgatë”, shkroi Peci.