Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka vazhduar kritikat ndaj emisarit special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ajo ka thënë se diplomati evropian vazhdimisht ka qenë i njëanshme në procesin e dialogut të Brukselit.
Ajo ka bërë me dije se në takimin e së enjtes është mbushur kupa, duke shtuat se Lajçak në mënyrë të hapur ishte pozicionuar në anën e Serbisë.
“Lajçak, nuk është hera e parë kur ai është treguar tërësisht i njëanshëm në një proces dialogu, në të cilin BE duhet të sigurohej të jetë i paanshëm. Ne disa herë e kemi shprehur pakënaqësinë tonë në mënyrë interne rreth faktit se si Lajçak e udhëheq këtë dialog dhe javën e kaluar është mbushur kupa. Ka qenë tepër i hapur qëndrimi i Lajçakut në favor të Serbisë”, ka thënë ajo.
Ajo ka vlerësuar se për Kosovën është bërë e pamundur që procesi i dialogut të vazhdojë në këtë formë.
“Janë prezantuar si të BE-së dokumente të cilat kanë qenë të Serbisë dhe prandaj, për ne është bërë e pamundur që ta vazhdojmë këtë proces në këtë formë. Ne i kemi bërë thirrje BE-së me kanalet tona interne që të kihet më shumë kujdes në mënyrë që ky dialog të ketë një shansë për të pasur sukses”, është shprehur ajo.
Kryediplomatja e Kosovës ka arsyetuar edhe fjalorin e kryeministrit Kurti ndaj emisarit evropian.
“Kryeministri i Kosovës s’ka përdorur gjuhë të ashpër vetëm ka treguar realitetin e zhvillimeve në dialog. Ky proces është i destinuar të dështojë. Dy vitet e fundit ka dëshmuar se ajo çfarë ka dëshiruar të realizojë Lajçak ka dështuar. Ne kemi nevojë për një proces i cili është më i drejtë ndaj të dyja palët”, ka deklaruar Gërvalla.