Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka thënë se kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku me mospranimin e ftesës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti për takim konsultativ, tregoi se ai ishte i frikësuar.
Sipas saj frika e Abdixhikut nga prezenca dhe argumentet e Qeverisë Kurti ka qenë më e madhe sesa gatishmëria e tij për të dëgjuar se çfarë do t’i thuhej në atë takim.
Gërvalla më tej ka thënë se një bisedë e tillë joformale mund t’i paraprinte një bashkëpunimi nëse ai do të dëshirohej nga të dyja palët ose edhe nuk do t’i paraprinte nëse nuk do të dëshirohej nga asnjëra palë.
“Si duket frika e zotit Abdixhiku nga prezenca dhe argumentet e kësaj qeverie ka qenë më e madhe sesa gatishmëria e tij për të dëgjuar njëherë çfarë kemi për të thënë. Kishte frikë. Se çfarë tjetër mund të jetë arsyeja pse Abdixhiku refuzoi madje edhe një bisedë joformale, bisedë e cila mund t’i paraprinte një bashkëpunimi nëse ai dëshirohej nga të dyja palët ose nëse nuk do të dëshirohej nga asnjëra palë nuk do t’i paraprinte. Ai tregoi qartë që është shumë i frikësuar sepse fjalët para zgjedhjeve kanë qenë shumë të mëdha dhe paratë e investuara në këtë fushatë kanë qenë marramendëse”, ka thënë ajo në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, më 7 prill e ka ftuar kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në një takim për konsulta paraprake, në prag të konstituimit të Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Ndërkaq, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, më 8 prill e refuzoi ftesën e Kurtit për një takim konsultativ para seancës konstituive që do të mbahet më 15 prill.