Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë të Kosovës, Përparim Kryeziu, ka reaguar lidhur me deklaratat e deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri të bëra në një konferencë për media.
Kryeziu u shpreh se Tahiri “gënjeu publikisht dhe atë me vetëdije”.
Në reagimin e tij, Kryeziu theksoi se Tahiri publikisht “mashtroi” kur pretendoi se një fotografi e publikuar ishte shkrep në një pritje zyrtare të organizuar nga Qeveria e Kosovës.
Sipas Kryeziut, ngjarja reale për të cilën bëhej fjalë kishte qenë pritje e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, në kuadër të festimeve për 110‑vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, dhe që Tahiri e dinte mirë sepse vetë ishte i ftuar dhe i pranishëm.
“Ai sot, në një konferencë për media, ndonëse deputet, me vetëdije të plotë iu bashkua së rrjeteve sociale përmes së cilës synohet njollosja e Kryeministrit dhe Qeverisë Kurti dhe lidhja e saj me dorasin Mefail Shkodra përmes një fotografie. Deputeti Tahiri mashtroi publikisht kur tha se ajo fotografi ishte shkrepur në një pritje shtetërore të organizuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Kryeziu.
Ai tutje u shpreh se kur Tahiri e thotë qëllimisht e publikisht të pavërtetën, atëherë nuk i mbetet kredibiliteti për të thënë çkado tjetër.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se rastet tronditëse të pesë vrasjeve të rënda në 48 orët e fundit, pas një serie tjetër të vrasjeve që ndodhën nëpër komuna të ndryshme të Kosovës, janë pasqyra më e qartë e dështimit të plotë të shtetit për të mbrojtur jetën e qytetarëve.
Tahiri, në një konferencë për media, theksoi se Kosova po kalon nëpër një gjendje alarmante të sigurisë, ku po mbretërojnë bandat kriminale të inkurajuara dhe mbrojtura nga pushteti.