Gani Geci ka reaguar pas deklaratës së ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci, i cili sugjeroi se Geci i kishte dërguar një mesazh ku ka shprehur simpati dhe gatishmëri për bashkëpunim me koalicionin LVV–Guxo–Alternativa.
Në një deklaratë për media, Geci ka shkuar në oborr të kuvendit dhe ka hedhur poshtë këto pretendime.
Geci ka sqaruar se mesazhi i dërguar Pecit nuk kishte të bënte me ndonjë ofertë bashkëpunimi, por me çështje konkrete që lidhen me pronat e uzurpuara.
Madje ai ia ndërron edhe mbiemrin Pecit, duke u tallur me te.
“E dëgjova një intervistë të Faton Pecit, kinse Gani Geci u ka dërgu SMS. Fakti është që unë jam taku me Pecin në Gjermani, jemi ardh prej Gjermanie deri në Kosovë. I kemi ndërru numrat e telefonit. Kur ka dalë në një konferencë për shtyp se po do me i kthy pronat e Ministrisë së Bujqësisë, unë i kam dërgu SMS atij, dhe ia kam dërgu disa prona të uzurpuara në territorin e Drenicës. Nuk mu ka përgjigj. Unë nuk jam ai që i çoj dikujt SMS për bashkëpunim, kurrë në jetë”, u shpreh Geci.
Ky reagim vjen pasi Peci përmendi direkt emrin e Gecit se ai kishte kërkuar bashkëpunim pas zgjedhjeve.
“Nuk e di a ka ndodh telefonata, por sido të jetë kam respekt për familjen Geci. Një mesazh miqësor për z.Geci. Komunikimet që ndodhin edhe me SMS edhe me thirrje telefonike në politikë, nuk është pjekuri politike që të gjitha të shfaqen në media. Qe une po iu tregoj, mundeni edhe me pyet z.Geci a i ka dërgu dikujt nga koalicinoi LVV-Guxo-Alternativa ndonjë SMS ku e ka shpreh simpatinë dhe vullnetin e tij që të ketë një partneritet. Pas procesit zgjedhor, vetëm me i tregu që nuk dilet në publik kur pranon thirrje telefonike”, ka thënë Peci.