Flamurin serb po e mbante me krenari, pavarësisht faktit se Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e miratoi me sukses rezolutën që e shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.
Edhe pse dështoi ta pengonte kalimin e kësaj rezolute, Aleksandar Vuçiq në Beograd ka vazhduar të bëjë propagandë.
Ai tha se ndjehet krenar që fuqitë e mëdha nuk arritën ta thyejnë Serbinë.
“Jam krenar që edhe pse u përpoqën, nuk arritën ta thyejnë Serbinë”, u shpreh Vuçiq.
Por sipas gazetarit nga Beogradi, Nikola Kërstiq, presidenti serb nuk ka për çfarë të ndihet krenar.
Ai thotë se veprimet që bëri Vuçiq në Asamblenë e Përgjithshme janë imazh i keq për Serbinë në botë.
“Më të vërtetë paraqitja e tij në Kombet e Bashkuara ishte një imazh i keq për Serbinë para botës. Një pjesë e shoqërisë tonë e dinë shumë mirë se çfarë krime kanë ndodhur në Srebrenicë, ishte gjenocid. Por narrativa që kanë krijuar politikanët këtu është se Serbia nuk ka qenë përfshirë në ato ngjarje. Disa nga ta frikësohen se me pranimin e krimeve, Serbia do të obligohej të paguaj për dëmet e luftës”, thotë Kërstiq për Tëvë 1.
Tutje gazetari Kërstiq thotë se Vuçiq e di shumë mirë se çfarë ka ndodhur përgjatë viteve të 90-ta.
Kërstiq tregon gjatë asaj periudhe Aleksandar Vuçiq ishte një ultra-radikal.
“Gjatë viteve të 90-ta, Aleksandar Vuçiq ishte një ultra-radikal që kishte pikëpamje shoviniste. Ai e di shumë mirë se çfarë ka ndodhur në atë periudhë kohore por nuk e pranon për arsye politike gjenocidin në Srebrenicë. Ai flet atë se çfarë votuesit e tij kanë qejf të dëgjojnë. Ai nuk ka ndryshuar shumë dhe vazhdon të jetë një politikan autoritar”, shprehet ai.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si gjenocid në vitin 2007.
Ajo konstatoi se Serbia nuk ishte përgjegjëse për aktin e as bashkëpunëtore, por deklaroi se ajo nuk bëri asgjë për ta parandaluar atë. /Tëvë1/