18.4 C
New York
Tuesday, September 24, 2024

Buy now

Gazetari nga Beogradi: Nuk mund të dënohet Radojçiq nga një pushtet mafioz në Serbi

- Advertisement -
Gazetari nga Beogradi, Nikola Kërstiq, thotë se në Serbi publiku di shumë pak për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjska pasi që personalitetet publike refuzojnë të flasin për këtë temë. Ai tutje thotë se pushteti aktual asnjëherë nuk do ta dënojë Radojçiqin meqë është ndër partnerët kryesorë të Aleksandar Vuçiqit.

Institucionet e Kosovës si dhe aktorët ndërkombëtarë kanë kujtuar të martën rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjakun, i cili u vra më 24 shtator të vitit të kaluar nga një formacion terrorist serb.

Mirëpo, në Serbi shumë pak personalitete kanë pasur guximin për ta kujtuar këtë ngjarje të rëndë.  Gazetari nga Beogradi, Nikola Kërstiq, thotë se shumë analistë politikë në debate televizive refuzojnë të flasin për këtë temë. Ai thotë se publiku serb nuk e ka krejtësisht të qartë se çfarë ka ndodhur në veriun e Kosovës më 24 shtator, por vetëm e dinë se në atë sulm ishte i përfshirë Milan Radojçiq.

“Në Serbi ende nuk është e shpjeguar qartë se çfarë realisht ka ndodhur në Banjskë. Në emisione politike analistët në Serbi refuzojnë të flasin për këtë temë. Mirëpo ajo që dihet është se Milan Radojçiq ka qenë i përfshirë në atë sulm terrorist. Ai është njëri nga njerëzit më të fuqishëm dhe më me influencë në Serbi si dhe në rajon. Radojçiq gjithashtu është njeri shumë i afërt me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe pra natyrisht që kjo është lidhja mes Beogradit dhe Banjskës”, tha Kërstiq për Tëvë1.

Kërstiq thotë se Vuçiq dhe udhëheqësit e tjerë serbë asnjëherë nuk do ta ekstradojnë Radojçiqin për në Kosovë pasi vetë ata kanë qenë në dijeni për atë sulm terrorist.

Sipas Kërstiqit partia Vuçiqit vepron si organizatë mafioze.

“Partia progresive e Serbisë e kontrolluar nga Vuçiq funksionon si organizatë mafioze andaj nuk është për tu befasuar që ata refuzojnë ta ekstradojnë Milan Radojçiqin në Kosovë. Ata kurrë nuk do ta bënin këtë gjë. Aleksandar Vuçiq ka qenë gjatë gjithë kohës i njoftuar për këto zhvillime dhe e ka ditur mirë se çfarë është duke bërë Radojçiq në Kosovë”, tha gazetari.

Gazetari serb është shprehur tejet kritik edhe ndaj Perëndimit për mënyrën se siç thotë ai e mbështesin Vuçiqin.

“Perëndimi e di shumë mirë se çfarë është duke ndodhur në Serbi por kanë vendosur të heshtin për shkak të marrëveshjeve që po arrijnë me Vuçiqin. Ka 12 vite që është ai është duke udhëhequr me vendin dhe akoma nuk po i shihet fundi. Për dallim nga Millosheviqi ai po gëzon mbështetje të madhe nga faktori ndërkombëtar”, tha ai.

Pavarësisht se e morri përgjegjësinë për sulmin terrorist, Milan Radojçiq vazhdon të jetë lirë nëpër Serbi.

Ndërkaq, të pandehurit e tjerë, sipas aktakuzës, të gjithë janë në arrati përveç tre personave që gjenden në paraburgim në Kosovë: Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq. /

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit