Pavarësisht mohimit të Beogradit zyrtar, nuk mungojnë zërat për zbardhjen e rastit “Safari i Sarajevës” dhe shumë rasteve të pazgjidhura të krimeve të katër luftërave që i shkaktoi Serbia. Kallëzimi penal kundër Vuçiqit ngërthen më vete prova të shumta që pritet ta ulin atë në bankën e të akuzuarve. Në rrethimin që zgjati 1425 ditë, u vranë më shumë se 1600 fëmijë dhe u plagosën mbi 14 mijë të tjerë.
Një kallëzim penal pranë prokurorisë së Milanos, kudër Aleksandër Vuçiqit, si pjesë e të ashtuquajturit “Safari i Sarajevës”, nga gazetari kroat Demagoj Margetiq, pritet t’ia hapë rrugë hetuesisë për të vënë drejtësinë në vend.
Në një deklaratë për RTK-në, Margetiq nënvizon se ka prova të shumta që dëshmon prezencën e Vuçiqit në të ashtuquajturën ekspeditë të vdekjes. Njësia paramilitare e Batalionit Çetnik të Sarajevës së Re, të komanduar nga Slavko Aleksiq, pjesë aktive e së cilës ka qenë presidenti aktual serb, Aleksandër Vuçiq, dyshohet se ka organizuar “Safari njerëzore” në pozicionin e varrezave hebraike, gjatë rrethimit të Sarajevës.
“Aleksandër Vuçiq ishte anëtar i asaj njësie nga viti 1992-1993. Ka qenë i pranishëm fizikisht dhe ajo që është interesante, ai mbante një të ashtuquajtur pushkë “PAP” me shënjestër optike, një pushkë snajper, armë e prodhuar nga fabrika “Crvena Zastava” e ish-Jugosllavisë. Një provë tjetër e rëndësishme është një deklaratë e Mirko Blagojeviqit, një komandant ushtarak në rajonin e Bosnjë dhe Hercegovinës, ku pohon se në vitin 1992 Aleksandër Vuçiq ka ardhur si vullnetar ushtarak, nën komandën e Slavko Aleksiqit, i pozicionuar te varrezat e hebrenjve”, tha Demagoj Margetiq, gazetar hulumtues.
Sipas Kallëzimit penal në Prokurorinë e Milanos, thuhet se ekzistonte një “listë çmimesh” për të ashtuquajturin “Safarin e Sarajevës” për të huaj të pasur, mes tyre amerikanë, kanadezë, rusë dhe italianë. Gazetari kroat nënvizon se në njësinë e Slavko Aleksiqit ka pasur vetëm dy persona që flisnin gjuhë të huaja: Aleksandër Vuçiq dhe Zlatko Novakoviq, të cilët shërbenin si ndërmjetës me të huajt që merrnin pjesë në gjuajtjet ndaj civilëve.
Për këtë, Margetiq thotë se ka dëshmi dhe deklarata të personave që kanë qenë në atë njësi.
“Anëtarët e njësisë së Aleksiqit ishin njerëz primitivë, që nuk flisnin as gjuhën serbe si duhet. Dy të vetmit që flisnin gjuhë të huaja ishin Aleksandër Vuçiq dhe Zlatko Novakoviq. Zlatko Novakoviq njihej edhe si Zak Novak. Ai kishte ardhur nga Nju-Jorku si vullnetar dhe ishte me Vuçiqin në atë njësi. Ka madje edhe fotografi të Zak Novak. Interesante është se Zlatko Novakoviq, sot, në kohën kur po flasim, është po ai Zlatko Novakoviq nga varrezat hebraike. Ai është një nga njerëzit kryesorë të rrethit të Vuçiqit sot në Beograd”, tha ai.
Gazetari Margetiq, i cili pret ta shohë Aleksandër Vuciqin dhe të tjetër për krime gjatë luftës në Bosnjë, nënvizon se ka mjaft prova, duke marrë për bazë faktin se ka të dënuar më krime lufte memë pak prova sa ekzistojnë për Vuçiqin.






