-7.7 C
New York
Sunday, December 22, 2024

Buy now

Gazetari Krasniqi jep detaje interesante të kohës së arrestimit të Bacit Jakup

- Advertisement -

Gazetari Valdrin Krasniqi ka dhënë detaje nga dita kur katër vjet më parë forcat speciale të EULEX-it, me urdhër të ZPS-së arrestuan zëdhënësin e UÇK-së, Jakup Krasniqin.

Ai thotë se vajza e Bacit Jakup, Gresa, e ka telefonuar në 7 të mengjesit, të 4 nëntorit 2020 për t’ia kumtuar lajmin se babai i saj po arrestohet për tu dërguar në Hagë.

Krasniqi thotë se pjesëtarët e EULEX-it ishin befasuar kur e kishin parë atë menjëherë në vendin e ngjarjes, të cilët me shpejtësi mbyllen dyert e hekurta të oborrit të tij, për t’i pamundësuar atij të realizojë fotografi.

Postimi i plotë i gazetarit Krasniqi:

Ishte ora 7 e mëngjesit, e 4 nëntorit 2020. Telefoni im po cingeronte dhe pash se ishte Gresa, vajza e Bacit Jakup. Zëri i saj ishte i ngarkuar, teksa më tregonte se EULEX-i kishte hyrë në shtëpinë e tyre për të arrestuar babanë e saj – zërin e UÇK-së. Nuk mendova dy herë. Me vrap shkova drejt shtëpisë së tyre dhe sapo mbërrita, pashë oborrin e mbushur me policë të huaj të maskuar, duke rrethuar atë vend që gjithmonë ishte simbol i lirisë dhe krenarisë.

Si gazetar, instinktivisht kapa aparatin për të fotografuar atë moment të rëndë. Por EULEX-i veproi menjëherë. Ata mbyllën dyert e hekurta, duke mos lejuar askënd të shihte atë që po ndodhte brenda. Ishte një moment që nuk mund ta harroj kurrë – një moment ku padrejtësia ndihej aq e prekshme, ndërsa ne ishim të pafuqishëm përballë saj.

Sot, katër vjet më vonë, të njëjtët xhipa të EULEX-it u parkuan sërish në vendin e njëjtë. Por kësaj here, nuk ishin aty për të marrë Bacin Jakup. E kishin sjellë atë për një vizitë të shkurtër në shtëpi, që të vendoste një buqetë lulesh mbi varrin e vëllait të tij, Azemit, të cilin nuk e kishte parë për katër vjet. Azemi ndërroi jetë të shtunën dhe Baci Jakup nuk kishte pasur mundësinë t’i jepte lamtumirën e fundit.

Për shkak të procesit në Hagë, Baci Jakup nuk ishte aty as për dasmën e djalit të tij të vetëm, Altinit, i cili tashmë është bërë baba. Nuk mundi të ishte as në dasmën e vajzës së tij, Gresës, e cila po ashtu është bërë nënë. Dhimbja për të gjitha këto momente të humbura është e pamasë, por Baci Jakup mbetet i fortë, siç ka thënë gjithmonë: “Njeriu është më i fortë se guri.”

Sot, ne e përshëndesim Bacin Jakup me shpresën që së shpejti ta shohim përsëri në Kosovë, në atë tokë për të cilën ai dha gjithë jetën e tij. Jeta vazhdon, por historia e tij është një testament i sakrificës dhe forcës njerëzore. Te presim shpejt, Bac, në vendin tënd të dashur.

Valdrin Krasniqi
Negroc, 10 tetor 2024

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit