Gazetari dhe drejtori i Radio Kosovës, Arsim Halili ka njoftuar se e ka fituar rastin ndaj portalit Kallxo.com në Këshillin e Mediave të Shkruara (KMShK).
Halili tha se KMSHK-ja, në një mbledhje të mbajtur të martën, e ka miratuar një ankesë të tij ndaj portalit Kallxo.com.
Drejtori i Radio Kosovës, ankesën për shkrimin me titull “Reagim ndaj fushatës shpifëse për kontratën e vitit 2017 mes BIRN-it dhe RTK-së” e ka deponuar me pretendimin për shkeljen e dy kapitujve të Kodit të Mediave të Shkruara.
Sipas ankesës së Halilit, portali Kallxo.com ka kryer shkelje të kapitujve II dhe IV, të cilat kanë të bëjnë me raportimin e së vërtetës, përkatësisht të drejtën për t’u përgjigjur.
Postimi i plotë:
🔴 Kallxo.com i Jeta Xharrës dhe Faik Ispahiut shpallet shkelëse nga Këshilli i Mediave të Shkruara (KMSHK)
Pas një ankese zyrtare të paraqitur nga unë, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) ka konstatuar se Kallxo.com ka shkelur kapitullin mbi raportimin e së vërtetës dhe të drejtën për t’u përgjigjur.
Portali i BIRN Kosova i drejtuar nga Jeta Xharra dhe i Internews Kosova të drejtuar nga Faik Ispahiu, publikuan shkrim me pretendime të pabazuara, me shpifje e gjuhë denigruese kundër personalittit e integritetit tim dhe pa respektuar standardet elementare të gazetarisë.
Sot, vendimi i Këshillit vërtetoi qartë: e vërteta dhe etika profesionale janë më të forta se çdo propagandë.
Gazetaria nuk është shpifje e as shpikje rrëfimesh, por paraqitje faktesh, raportim i së vërtetës e mbi të gjitha është përgjegjësi ndaj Publikut.
Unë e bëra rrugën institucionale dhe e fitova.
Faleminderit Këshillit të Mediave të Shkruara për vendimin profesional dhe për mbrojtjen e standardeve etike të gazetarisë.
Bashkangjitur gjeni linkun nga komunikata e Kuvendit të KMSHK-së.
https://www.facebook.com/share/p/19QiT9Ewdv/