Gazetarët, Gresa Nitaj – Klan Kosova, Leonita Bajrami – Top Channel, dhe Venhar Isufi –Tëvë1 dhe kameramanët Arben Restelica, Edon Hogjagjiku dhe Valdrin Abazi, janë penguar, sot, gjatë raportimit për një vrasje që ka ndodhur mbrëmë në Kodrën e Trimave, në Prishtinë.
Në një lidhje të drejtpërdrejt të gazetares Gresa Nitaj në një edicion informativ në Klan Kosova, shihet një burrë duke e kapur për krahu gazetaren, e duke mos e lënë të raportojë atë, si dhe duke i kërkuar të largohen edhe ekipet e Top Channel dhe Tëvë1.
Për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, pengimi i punës së gazetarëve është i papranueshëm, andaj i bëjmë thirrje Policisë së Kosovës, që në situata të tilla të krijojë kushte të favorshme për gazetarët që të kryejnë punën e tyre, pa u cenuar, e penguar.