Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me mbështetjen e mediave dhe organizatave të shoqërisë civile, sot (e hënë), do të mbajë protestë në shenjë revolte për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosova nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Protesta me moton “Demokracia vdes në errësirë”, do të fillojë në ora 12:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i fton kolegët gazetarë, kameramanë e fotoreporterë, t’i bashkohen protestës paqësore të hënën”, thuhet në njoftim.
Të premten, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka bërë të ditur se Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve ka refuzuar ankesën e Klan Kosova lidhur me pezullimin e certifikatës së biznesit të televizionit.