Gazeta më e madhe italiane “Gazzetta dello Sport” i ka kushtuar një shkrim të veçantë yllit të Kosovës Edon Zhegrova, para përballjes mes Juventusit dhe AC Milanit.
Siç dihet, Zhegrova ka qenë një tifoz i zjarrtë i AC Milanit në të kaluarën, megjithatë tani do të luajë ndaj klubit të fëmijërisë me fanellën e “Zonjës së Vjetër”.
“Gazzetta dello Sport” përmes një shkrimi të gjatë ka treguar lidhjen e fortë që ka Zhegrova me “Rossonerët”.
“Në vitin 2012, një Edon Zhegrova shumë i ri mbante veshur fanellën e Milanit dhe në duar kishte një trofe fëmijërie – nga ato që nuk harrohen kurrë. Në Prishtinë, në kryeqytetin e Kosovës, një kamp i Milanit ku mori pjesë para 13 vitesh do t’i ndryshonte disi jetën. Ishte aty ku ai ra edhe më shumë në dashuri me futbollin italian, që e kishte ndjekur çdo të diel nga shtëpia dhe ku, pas më shumë se një dekade, u rikthye si futbollist profesionist”.
“Sot, nga kujtimet e kuqezinjve kanë mbetur vetëm nostalgjitë, sepse e tashmja është bardhezi. Zhegrova është gati të përballet me ish-dashurinë e parë, ndërsa sfida e madhe ndaj Milanit mund t’i rikujtojë fillimet e tij në atë kamp që i hapi rrugën drejt Italisë”.
Edon Zhegrova
Gazeta italiane gjithashtu nuk ka ‘harruar’ të kujtojë edhe deklaratën e Zhegrovës, i cili si 12-vjeçar e kishte plotësuar ‘ëndrrën’ për të takuar dy nga idhujt, Kaka dhe Pato.
“Për më shumë se një javë, dyqind të rinj ishin ftuar për testime. Unë e mësova për kampin në minutën e fundit. Mbërrita me nxitim, u vesha shpejt, ndërsa të tjerët ishin gati. Isha i fundit që u regjistrova, por në fund dola i pari ndër të gjithë pjesëmarrësit”.
Si shpërblim, Edoni mori një ftesë për të vizituar “San Siron” – për herë të parë përballë botës së futbollit italian. “Bashkë me disa lojtarë të tjerë, na ftuan të vizitonim stadiumin. Ishte një ëndërr. Kisha vetëm 12 vjeç, jetoja në Kosovë dhe papritur gjendesha në AC Milan. E kujtoj nënën time me lot në sy. Pata mundësinë të takoja Kakan dhe Paton, dhe të ndiqja një ndeshje kundër Chievos”, rrëfehej Zhegrova vite më parë.
Përndryshe, përballja mes Juventusit dhe AC Milanit do të nis me fillim nga ora 20:45, sidoqoftë Zhegrova do ta nisë nga stoli shkaku që Tudor ka vendosur ta lërë Conceicaon si titullar.