Është rritur në 96 numri i njerëzve të vdekur nga vërshimet si pasojë e shirave të mëdha në Somali, njoftoi të shtunën agjencia shtetërore e lajmeve, SONNA.
“Numri i të vdekurve nga vërshimet ne Somali ka shkuar në 96”, shkroi SONNA në rrjetin social X, duke shtuar se kjo shifër është konfirmuar nga Mahamuud Moallin, kryetari i Agjencisë për Menaxhimin e Fatkeqësive në Somali.
Njëlloj sikurse pjesa tjetër lindore dhe Briri i Afrikës, Somalia është goditur nga shira të pandërprerë që nisën në tetor. Ato u shkaktuan nga El Ninjo dhe një fenomen tjetër klimatik i Oqeanit Indian.
Të dyja janë këto fenomene klimatike ndikojnë në temperaturat e sipërfaqes së oqeanit dhe shkaktojnë reshje shiu mbi mesatare.
Vërshimet janë cilësuar si më të rëndat në dekadat e fundit dhe i kanë shtyrë rreth 700.000 njerëz të zhvendosen, sipas Kombeve të Bashkuara.
Shirat e rrëmbyeshëm kanë shkaktuar vërshime të mëdha nëpër vend, duke nxitur zhvendosjen e njerëzve dhe përkeqësimin e një krize humanitare të shkaktuar nga kryengritjet e vazhdueshme.
Ndërkohë, në shtetin fqinj, Kenia, 76 njerëz vdiqën si pasojë e vërshimeve, sipas Kryqit të Kuq të Kenisë. Vërshimet kanë shkaktuar zhvendosjen e njerëzve, kanë shkatërruar rrugë dhe ura, si dhe i kanë lënë shumë njerëz pa strehë, ujë të pijshëm dhe ushqim. /REL/