Trazirat vazhduan deri në orët e vona në qytete përreth Francës për të katërtën natë radhazi, përkundër pranisë masive të policisë.
Korriku nisi në Francë me makina e ndërtesa të djegura dhe dyqane të grabitura, përderisa familjarë dhe miqtë përgatiteshin për ta varrosur 17-vjeçarin, vrasja e të cilit shkaktoi trazira mbarëkombëtare.
Qeveria sugjeroi se protestat kishin filluar të qetësoheshin falë masave më të ashpra të sigurisë, por dëme janë raportuar kudo në Francë dhe në territore franceze si në Guajanën Franceze, ku një 54-vjeçar vdiq pasi u godit nga një plumb endacak.
Në orët e hershme të mëngjesit të 1 korrikut, Ministria e Brendshme e Francës njoftoi se ishin bërë 994 arrestime gjatë natës.
Ekipi kombëtar i futbollit i Francës – përfshirë yllin ndërkombëtar Kylian Mbappe, një idhull për shumë të rinj në lagjet ku zemërimi është më i madh – kërkoi t’i jepet fund dhunës.
“Shumë prej nesh vijmë nga lagjet e klasës punëtore, edhe ne ndajmë këtë ndjenjë dhimbjeje dhe trishtimi”, thanë futbollistët në një deklaratë për vrasjen e 17-vjeçarit Nahel. “Dhuna nuk zgjidh asgjë. … Ka mënyra të tjera paqësore dhe konstruktive për ta shprehur veten.”