Deputeti i LDK-së, Arben Gashi ka thënë se tani është koha për të dalë nga kriza dhe për përfaqësim të drejtë, e jo për monopole.
Pas dështimit të 28-të për të arritur konstituimin e Kuvendit të Kosovës, Gashi tha se Kosova sot ndodhet në një bllokadë politike që buron nga një pabarazi e thellë, ku sipas tij njëra palë ka monopolin e propozimit e tjetra ka të drejtën legjitime të votës.
Sipas Gashit, nuk ka barazi, nuk ka kompromis por ka arrogancë.
“Partia që kontrollon propozimin për Kryetarin e Kuvendit, dëshiron ta realizojë qëllimin e saj pa asnjë kompromis politik. Kjo është qasje përjashtuese, jo frymë demokratike. Dhe kjo është e papranueshme për ne – dhe për çdo qytetar që beson në barazi politike”, ka shkruar tutje Gashi në Facebook.
“Shprehja e Kryeministrit “Hajt, se këta dorëzohen…” nuk është as strategji, as vizion. Është përçmim. Dhe institucionet nuk mund të udhëhiqen me përçmim”.
Deputeti thotë se si përfaqësues i qytetarëve, nuk mund të hesht.
“Nuk jemi këtu për të nënshtruar njëri-tjetrin. Jemi këtu për t’i shërbyer Kosovës. Dhe për ta nxjerrë vendin nga kjo krizë me përgjegjësi, integritet dhe vullnet të qartë për zgjidhje. Kur arroganca bëhet rregull – qytetari duhet të rikthehet si gjykatësi kryesor. O do të ketë zgjidhje me marrëveshje të drejtë, ose le të flasë qytetari!”, shkroi tutje ai.
Si zgjidhe të këtij ngërçi politik, Gashi i mendon zgjedhjet.
“Zgjedhjet janë zgjidhja burimore në çdo demokraci. Ato janë mënyra më e drejtë, më legjitime dhe më paqësore për t’i dhënë fund kësaj bllokade të dëmshme”.